Ekzekutohet me 8 plumba shqiptari në Belgjikë, dyshohet për larje hesapesh! Të njëjtët autorë vranë edhe një polic
Personat që vranë me armë zjarri efektivin e policisë belge, Nordine El Talbi, 41 vjeç, në Bruksel, dyshohet se kishin kryer disa orë më parë edhe një tjetër vrasje, atë të një shtetasi shqiptar në Ixelles. Sipas mediave belge, hetuesit tashmë janë të bindur se të dyja ngjarjet kriminale janë kryer nga të njëjtët autorë.
Vrasja e parë ndodhi më 12 tetor, rreth orës 17:50, në Ixelles, pranë Parlamentit Europian.
Viktima, një shtetas shqiptar, u qëllua disa herë në gjoks në hyrje të një pallati dhe ndërroi jetë në vendngjarje, pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës.
Sipas burimeve të cituara nga mediat belge, ndaj tij u qëllua me shtatë ose tetë plumba, ndërsa tre ose katër autorët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Shqiptari nuk rezultonte me precedentë penalë në Belgjikë, por hetuesit dyshojnë se vrasja lidhet me një larje hesapesh në botën e narkotikëve.
Fillimisht, prokuroria e Brukselit deklaroi se nuk dukej të kishte lidhje mes kësaj vrasjeje dhe ekzekutimit të policit Nordine El Talbi. Megjithatë, pamjet e kamerave të sigurisë kanë ndihmuar hetuesit të lidhin të dyja ngjarjet me të njëjtët persona.
Si u vra polici belg
Disa orë pas vrasjes së shqiptarit, efektivi Nordine El Talbi dhe kolegët e tij të njësisë kundër grabitjeve po kërkonin një automjet tip Volkswagen T-Cross, i cili ishte vjedhur më herët gjatë mbrëmjes.
Rreth mesnatës, policët e lokalizuan makinën në bulevardin Carton de Wiart, në zonën e Jette. Kur El Talbi iu afrua në këmbë për të kontrolluar situatën, personat brenda automjetit hapën zjarr ndaj tij. Një plumb e goditi në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.
Sipas prokurorit të Brukselit, Julien Moinil, në automjet ndodheshin pesë persona dhe njëri prej tyre qëlloi efektivin. Autorët braktisën makinën brenda së cilës u gjetën edhe tre armë zjarri dhe u larguan në këmbë.
Katër të dyshuar ekstradohen në Belgjikë
Pas dy vrasjeve, autorët e dyshuar u larguan jashtë vendit. Brenda më pak se një jave, tre prej tyre u arrestuan në Almeria të Spanjës, ndërsa dyshohet se po udhëtonin drejt Marokut. Një i katërt u arrestua në një stacion treni në Paris.
Të katër të dyshuarit, njëri prej të cilëve është i mitur, tashmë janë ekstraduar në Belgjikë.
Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjeve, policia belge kishte arrestuar edhe dy persona të tjerë në Bruksel. Njëri prej tyre u lirua për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme, ndërsa tjetri vijon të qëndrojë në paraburgim.
Sipas prokurorisë, të gjithë të dyshuarit janë banorë të Brukselit dhe njihen për lidhjet e tyre me botën e narkotikëve. Gjithashtu, gjatë hetimeve në automjetin e vjedhur është gjetur një sasi e konsiderueshme droge.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe lidhjet mes dy vrasjeve. Deri më tani, hetuesit kanë përcaktuar kronologjinë e ngjarjeve, fillimisht vrasja e shtetasit shqiptar në Ixelles, më pas grabitja e automjetit në Tubize dhe në fund ekzekutimi i efektivit të policisë në Jette.




