Një ngarkesë me rreth 156 mijë njësi produktesh ushqimore dhe lodrash të ambalazhuara është bllokuar nga autoritetet doganore pas konstatimit të parregullsive gjatë kontrolleve të bazuara në analizën e riskut.
Kontrolli u krye nga Dega Doganore Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Monitorimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ku gjatë verifikimit fizik të mallrave u evidentua se produktet nuk përmbanin informacionin e detyrueshëm për datën e jetëgjatësisë minimale ose afatin e përdorimit në etiketim.
Sipas autoriteteve, kjo përbën shkelje të kërkesave ligjore për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit, të përcaktuara në kuadrin rregullator shqiptar.
Ngarkesa është vendosur në bllokim dhe mallrat nuk do të lejohen të zhdoganohen apo të dalin në treg deri në përfundimin e procedurave dhe kontrolleve përkatëse.












