Një 17-vjeçar australian, i identifikuar si William, është gjetur i gjallë pas gjashtë ditësh të kaluara i humbur në një zonë të dendur pyjore në shtetin e Viktorias, rreth 180 kilometra në lindje të Melburnit.

Adoleshenti ishte zhdukur të premten e kaluar gjatë një udhëtimi kampingu me një mik dhe temperaturat shumë të ulëta gjatë natës kishin shtuar shqetësimet e autoriteteve për jetën e tij.

Në kërkim u angazhuan ekipe policore, qen gjurmues, zhytës dhe helikopterë. William u lokalizua të premten në mëngjes dhe u nxor nga zona e vështirë me ndihmën e një vinçi shpëtimi. Menjëherë pas shpëtimit, atij iu dhanë një petull dhe një shishe ujë, përpara se të dërgohej në spital për kontrolle mjekësore.

Nëna e tij, Elizabeth Barkley, tha se djali kishte vetëm disa gërvishtje dhe ishte në gjendje shumë të mirë shëndetësore. “Ai është mirë, gjithçka duket në rregull. Është në gjendje të përsosur shëndetësore. Ai qëndroi në një vend dhe priti derisa ta shpëtonin”, u shpreh ajo. E lehtësuar nga lajmi i mirë, nëna bëri edhe një koment me humor: “Nuk do të dalë më kurrë nga shtëpia”.