Dialogu që kryeministri Edi Rama u kërkon protestuesve prej disa javësh, duket se ka nisur. Ministri Blendi Gonxhja bën me dije përmes një postimi në rrjetet sociale se në mbledhjen e zgjeruar të Këshillit Kombëtar të Rinisë, është diskutuar me “zërat konstruktivë të protestës”.
Gonxhja inkurajon vijimin e dialogut, i cili ka trajtuar tema si protestat, meritokracia, punësimi dhe mundësitë për të rinjtë.
Gjatë diskutimit që ka zgjatur dy orë e gjysmë, ministri thotë se janë shprehur pyetje të vështira, qëndrime kritike, shqetësime e problematika të të rinjve në raport me institucionet.
Postimi i ministrit Blendi Gonxhja
Dy orë e gjysmë dialog i hapur, i sinqertë dhe pa dorashka me të rinjtë!
Një takim shumë i shëndetshëm, me pyetje të vështira, qëndrime kritike, por mbi të gjitha me të rinj të mirëartikuluar, të informuar dhe me mendim të pavarur, që shprehën hapur shqetësimet, pakënaqësitë dhe problematikat që, sipas tyre, ushqejnë mosbesimin ndaj institucioneve. Folëm për protestat, meritokracinë, punësimin, mundësitë për të rinjtë dhe përgjegjësitë tona për t’u dhënë përgjigje këtyre shqetësimeve.
Të dëgjosh nuk do të thotë të heqësh dorë nga bindjet, ashtu si të kundërshtosh nuk do të thotë të jesh kundërshtar. Dialogu kërkon përulësi për të dëgjuar, dinjitet për t’u përgjigjur dhe pjekuri për të reflektuar.
Takimi, në mbledhjen e zgjeruar të Këshillit Kombëtar të Rinisë, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Rinisë, Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, me zërat konstruktivë të protestës, ishte një nisje e vyer e një dialogu që duhet të vijojë, me respekt të ndërsjellë, reflektim dhe përgjegjësi konkrete.









Komente
Komento