Katër persona të dyshuar për vrasjen e një shqiptari pranë Parlamentit Evropian në Bruksel dhe të efektivit të policisë belg Nordine El Talbi i janë dorëzuar autoriteteve belge pas arrestimeve në Spanjë dhe Francë, njoftojnë mediat belge. Hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për të njëjtin grup që ka kryer të dyja vrasjet brenda pak orësh, më 12 tetor 2026.
Ngjarja e parë ndodhi rreth orës 17:50 në rrugën Wiertz, në lagjen Elsene (Ixelles) pranë Parlamentit Evropian. Viktima, një shtetas shqiptar, u qëllua disa herë me armë zjarri në hollin e një pallati; mori shtatë ose tetë plumba në gjoks dhe ndërroi jetë në vend, megjithë ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës. Identiteti i tij nuk është bërë publik. Dyshimet paraprake të hetuesve janë se vrasja lidhet me larje hesapesh në rrjetet e trafikut të drogës dhe mund të ketë qenë një ekzekutim me pagesë.
Disa orë më vonë, të njëjtët të dyshuar dyshohet se kanë vrarë efektivin e policisë Nordine El Talbi, 41 vjeç, në lagjen Jette. El Talbi ishte pjesë e një operacioni për gjetjen e një automjeti Volkswagen T‑Cross, të vjedhur gjatë një grabitjeje me dhunë në Tubize. Kur policët lokalizuan automjetin dhe El Talbi iu afrua për kontroll, personat brenda hapën zjarr; një plumb e goditi në kokë dhe i mori jetën.
Tre prej të dyshuarve u arrestuan në Almería të Spanjës, ndërsa i katërti u kap në një stacion hekurudhor në Paris. Sipas raportimeve, tre personat e arrestuar në Spanjë dyshohet se po tentonin të largoheshin drejt Marokut. Njëri prej katër të dyshuarve është i mitur. Të gjithë dyshohet se janë larguar nga Belgjika pas ngjarjeve.
Në Bruksel janë arrestuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar për përfshirje; njëri u lirua nga Dhoma e Këshillit për mungesë provash, ndërsa tjetri mbetet në paraburgim. Autoritetet belge thonë se të dyshuarit janë nga Brukseli dhe njihen për lidhje me rrjetet e trafikut të drogës. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur motivet dhe rolin konkret të secilit.
