Shqipëria ka burokracitë më të rënduara dhe komplekse për bizneset eksportuese dhe importuese nga të gjitha vendet e rajonit. Kështu perceptohen procedurat e hyrje-daljes së mallrave në pikat doganore të vendit nga 25 për qind e bizneseve tregtare që operojnë në vendin tonë. Shifra del në një raport të Bankës Botërore, që thotë se një në katër biznese në Shqipëri i vlerësojnë rregullat doganore të eksportit dhe importit të mallrave si pengesa të mëdha, ose shumë të mëdha, teksa në rajon kjo shifër është vetëm një në 10 biznese. Më pak burokraci ndjejnë bizneset në Bosnje Hercegovinë, ku më pak se 4 në 100 prej tyre shohin pengesa, në Mal të Zi 5 nga 100 biznese, ndërsa në Kosovë gati 6 sipërmarrje në çdo 100 prej tyre vlerësojnë si problematike procedurat doganore.