E enjte, 12 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
KLSH zbulon skandalin: Misri me aflatoksinë u fut në treg, iu hoqën shenjat e bllokimit
Lajme

KLSH zbulon skandalin: Misri me aflatoksinë u fut në treg, iu hoqën shenjat e bllokimit

Debati për praninë e aflatoksinës në qumësht ka rikthyer në qendër të vëmendjes sigurinë ushqimore në Shqipëri. Ndërsa përpunuesit e qumështit dhe blegtorët përplasen për përgjegjësinë e kontaminimit, një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) nxjerr në pah një rast alarmant: 104 tonë misër i importuar nga Serbia kanë hyrë në Shqipëri pa kontrollet dhe masat e bllokimit të kërkuara nga autoritetet.

Bëhet fjalë për një ngarkesë të destinuar për ushqimin e kafshëve, e cila më vonë rezultoi e kontaminuar me aflatoksinë B1. Sipas gjetjeve të auditimit, jo vetëm që produkti u lejua të kalonte kufirin pa u marrë mostrat e detyrueshme, por edhe pasi u konstatua ndotja, një pjesë e tij dyshohet se u zhvendos dhe u përdor, pavarësisht urdhrit për bllokim.

Rasti është dokumentuar në raportin e auditimit të performancës së KLSH-së për kontrollin e cilësisë, magazinimin dhe importimin e drithërave. Gjetjet ngrenë pikëpyetje serioze mbi funksionimin e kontrolleve shtetërore, gjurmueshmërinë e produkteve dhe përgjegjësinë e institucioneve që duhet të garantojnë sigurinë e ushqimit për kafshët.

Urdhri i AKU-së u shpërfill, tri ngarkesa kaluan kufirin pa kontroll

Sipas raportit, më 7 nëntor 2025, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kishte nxjerrë një urdhër për marrjen e mostrave dhe bllokimin e të gjitha ngarkesave me misër blegtoral me origjinë nga Serbia. Masa do të qëndronte në fuqi deri në marrjen e rezultateve laboratorike që do të konfirmonin sigurinë e produktit.

Megjithatë, ky udhëzim nuk u zbatua në rastin e kompanisë Modi sh.p.k.

Nga data 18 nëntor deri më 10 dhjetor 2025, subjekti importoi përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit tri ngarkesa misri rifuxho, me një peshë të përgjithshme prej rreth 104 tonësh.

KLSH konstaton se për këto ngarkesa nuk u morën mostra në kufi dhe nuk u vendos masa e bllokimit, ndonëse urdhri i AKU-së e kërkonte shprehimisht një veprim të tillë.

Në këtë mënyrë, misri hyri në territorin shqiptar pa u verifikuar siguria e tij dhe iu nënshtrua proceseve të mëtejshme të administrimit dhe përzierjes me lote të tjera.

Alarmi u dha disa muaj më vonë, analizat konfirmuan aflatoksinën B1

Problemi u evidentua gjatë kontrolleve të zhvilluara nga strukturat e AKU-së në Shkodër, në muajt shkurt dhe mars 2026.

Më 12 shkurt 2026, Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së urdhëroi inspektimin e kompanisë dhe bllokimin e 104 tonëve misër, i cili ishte destinuar për ushqimin e kafshëve, konkretisht të shpendëve.

Rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të marra konfirmuan se produkti nuk përmbushte standardet për praninë e aflatoksinës B1.

Por ajo që e bën edhe më shqetësues rastin është ajo që u konstatua gjatë verifikimeve pas vendosjes së masës së bllokimit. Sipas KLSH-së, operatori ekonomik kishte lëvizur produktin e bllokuar, kishte hequr shenjat identifikuese të bllokimit dhe e kishte përdorur ose hedhur në treg, duke pretenduar se misri ishte përdorur për ushqimin e shpendëve.

Pra, edhe pasi autoritetet kishin identifikuar rrezikun dhe kishin urdhëruar ndalimin e përdorimit të produktit, gjurmët e ngarkesës nuk u ruajtën sipas procedurave të kërkuara.

Edhe 26 tonë të tjerë u përpunuan në ushqim për pula

Gjatë auditimit u evidentua edhe një tjetër problem në administrimin e produkteve të bllokuara.

Një sasi prej 26 tonësh misër, e cila ishte bllokuar më herët në një nga siloset e kompanisë, nuk gjendej më në gjendjen në të cilën ishte sekuestruar. Sipas raportit, kjo sasi ishte përpunuar dhe kthyer në ushqim të gatshëm për pula.

Ky konstatim shton pikëpyetjet mbi respektimin e masave të sigurisë dhe mënyrën se si operatori ekonomik ka vepruar me produktet që duhej të qëndronin jashtë qarkullimit deri në përfundimin e procedurave përkatëse.

639.5 tonë misër dhe mungesë gjurmueshmërie, KLSH ngre alarmin

Problemet nuk kufizohen vetëm te ngarkesa prej 104 tonësh. Raporti i KLSH-së evidenton se gjatë periudhës nëntor 2025–mars 2026, kompania kishte administruar rreth 639.5 tonë misër me origjinë nga Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi.

Një pjesë e konsiderueshme e kësaj sasie ishte tregtuar përmes shitjeve të lira, ndërsa dokumentacioni i subjektit nuk garantonte identifikimin e plotë të origjinës, lëvizjes dhe destinacionit të produktit.

Kjo mangësi e bënte të pamundur gjurmimin e plotë të misrit dhe përcaktimin e operatorëve apo fermave që mund ta kishin marrë atë.

Për shkeljet e konstatuara janë vendosur masa administrative ndaj kompanisë dhe është urdhëruar asgjësimi i produktit jokonform. Megjithatë, auditimi nuk përcakton sasinë e saktë të misrit të kontaminuar që ishte përdorur apo tregtuar dhe as sa prej tij është asgjësuar përfundimisht.

A mund të lidhet misri i kontaminuar me debatin për qumështin me aflatoksinë?

Gjetjet e auditimit marrin rëndësi të veçantë në kushtet e shqetësimeve të fundit për praninë e aflatoksinës në qumështin që tregtohet në Shqipëri.

Nga pikëpamja shkencore, aflatoksina B1 që gjendet në ushqimin e kontaminuar të bagëtive qumështore mund të metabolizohet në organizmin e tyre në aflatoksinë M1, e cila më pas mund të kalojë në qumësht.

Megjithatë, raporti i KLSH-së për rastin konkret dokumenton misër të destinuar për ushqimin e shpendëve. Nuk ka prova në auditim që kjo ngarkesë të jetë përdorur për ushqimin e lopëve apo që të ketë shkaktuar kontaminimin e qumështit në tregun shqiptar.

Ajo që dokumentohet është dështimi i kontrollit në disa hallka: mosmarrja e mostrave në kufi, mosvendosja e bllokimit në momentin e importit, shkelja e masës së bllokimit nga operatori ekonomik dhe mungesa e gjurmueshmërisë së plotë të produktit.

KLSH evidenton gjithashtu se nuk rezulton të jetë bërë njoftimi i menjëhershëm i strukturave përgjegjëse për moszbatimin e procedurave të kontrollit kufitar.

Në një kohë kur qytetarët kërkojnë përgjigje për sigurinë e produkteve ushqimore, raporti ngre një sërë pikëpyetjesh që kërkojnë sqarim nga institucionet: Si u lejua hyrja e misrit pa kontrollet e detyrueshme? Ku përfundoi produkti pasi analizat konfirmuan praninë e aflatoksinës? Sa prej tij u përdor dhe sa u asgjësua realisht?

Përgjigjet janë thelbësore për të kuptuar jo vetëm përmasat e këtij rasti, por edhe nëse mekanizmat shtetërorë të kontrollit të sigurisë ushqimore po funksionojnë për të mbrojtur konsumatorët.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.