'Mos fol tani, sqarohemi kur të dalim…', përgjimi në qeli i nënës e djalit që akuzohen për vrasjen e Urim Fikut

'Mos fol tani, sqarohemi kur të dalim…', përgjimi në qeli i nënës e djalit që akuzohen për vrasjen e Urim Fikut

10:04, 12/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Elton Qyno - Syri.net/

Hetimet e kryera nga policia e Dibrës, lidhur me vrasjen e 62-vjeçarit Urim Fiku kanë zbuluar detaje të reja. Në kuadër të veprimeve hetimore për të zbuluar prova të reja në këtë dosje penale, policia e Dibrës mësohet se ka përgjuar në ambientet e dhomës së shoqërimit, dy të arrestuarit Sadete dhe Gazmir Fiku.

Gjatë bisedës që kanë zhvilluar në ambientet e policisë, nëna i ka kërkuar të birit sqarime duke i pohuar se: “…çfarë ndodhi kështu, si përfunduam kështu…”.

Por djali i saj Gazmir Fiku mësohet se ia ka kthyer: ”…mos fol tani, sqarohemi kur të dalim…”.

Më tej i biri i bën me shenjë të ëmës, duke nënkuptuar se në dhomë mund ti kenë vënë përgjues, duke vijuar biseda të tjera të shkurtra që nuk kanë lidhje me ngjarjen e vrasjes së kryefamiljarit, Urim Fiku.

Dy personat e arrestuar për këtë ngjarje kanë qëndruar shumë të rezervuar, duke treguar se fshehin të vërtetën e asaj që ndodhi me vrasjen e Urim Fikut.

Ndërkohë policia dhe prokuroria e Dibrës, janë në pritje të përgjigjeve të akteve të ekspertimit mjeko-ligjor dhe përgjigjeve balistike të dy armëve të zjarrit pistoletë, kallashnikov, që u gjendën në shumë pranë vendit të krimit.

Arma automatike është gjendur e fshehur në kasollen e banesës, dhe në folenë e fishekut kishte një plumb.

Rikontrolli për armë është bërë pasi rreth banesës së viktimës, policia një ditë më parë kishte gjetur 3 gëzhoja automatiku, duke çuar në dyshimin se në vendin e krimit veç pistoletës ishte përdorur dhe një armë automatike.

Gëzhojat tashmë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe pritet që në ditët në vijim t’i nënshtrohen një ekspertize krahasuese balistike me armën tip pistoletë dhe kallashnikovin e sekuestruar.

Gjetja e këtyre gëzhojave në distanca të ndryshme nga njëra-tjetra ka ngritur dyshime të forta se Urim Fiku është ndjekur me vrap nga autori i krimit, i cili ka qëlluar me intensitet drejt Fikut, derisa ai është prekur nga një plumb pas shpine dhe është rrëzuar në tokë.

Autori i krimit më pas dyshohet se e ka qëlluar Fikun me një sëpatë në kokë, duke i dëmtuar rëndë pjesën e kafkës.

Policia dhe prokuroria kanë kërkuar informacion nga mjekësia ligjore për të përcaktuar nëse vdekja e Urim Fikut ka ardhur nga dëmtimi i rëndë i trurit përmes goditjes me sëpatë apo si pasojë e goditjes me një plumb të shkaktuar nga arma e zjarrit.

Hetuesit kanë ngritur dyshime të forta se në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe një person i tretë, që dyshohet se banon aty pranë, për të cilin po punohet me qëllim identifikimin dhe arrestimin e tij.

Për këtë ngjarje të rëndë policia ka arrestuar djalin dhe gruan e viktimës, Sadete dhe Gazmir Fiku, të cilët janë lënë në masën e "Arrestit në burg".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco