Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Prishtinë, Kamenicë dhe Gjakovë gjatë 11 nëntorit, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Në mesin e rasteve të raportuara janë dhuna psikike ndaj dy fëmijëve të mitur nga ish-bashkëshorti i nënës, sulmi ndaj një bashkëshorteje dhe keqtrajtimi i prindërve nga fëmijët e tyre.


Në Prishtinë janë raportuar tri raste. Në rastin e parë, Policia ka bërë të ditur se një grua ka raportuar se ish-bashkëshorti i saj, i dyshuar mashkull kosovar, në vazhdimësi u shkakton presion psikik dy fëmijëve të tyre të mitur. Për këtë rast nuk raportohet për persona të arrestuar, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Në rastin e dytë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes dhe e kishte larguar atë nga banesa e tyre. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në rastin e tretë në Prishtinë, dy persona, një burrë dhe një grua, dyshohet se janë sulmuar fizikisht nga djali i tyre i mitur. Edhe në këtë rast, i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Një rast tjetër është raportuar në Kamenicë, ku një burrë është arrestuar pasi, nën ndikimin e alkoolit, dyshohet se kishte fyer vajzën e tij. Pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Tri raste të tjera janë raportuar në Gjakovë. Në rastin e parë, pas një mosmarrëveshjeje, një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Ajo ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje pas intervistimit.

Në rastin e dytë, një grua ka raportuar se është keqtrajtuar nga djali i saj i mitur. Sipas Policisë, ajo nuk ka pranuar tretman mjekësor dhe, me dëshirën e saj, është kthyer në shtëpi, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati.

Rasti i tretë në Gjakovë është raportuar rreth orës 21:00, ku bashkëshortja dyshohet se është keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Policia nuk ka dhënë detaje shtesë për rrethanat e këtyre rasteve, të cilat janë raportuar si vepra të dhunës në familje. /Telegrafi/