Emisarët amerikanë në Moskë për takimin me Putinin, Zelensky: Ka një mundësi për armëpushim para vitit 2027
Emisarët amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në Moskë, ku pritet të zhvillojnë një takim me presidentin rus Vladimir Putin, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Dy përfaqësuesit amerikanë u pritën në aeroportin Vnukovo të Moskës nga Kirill Dmitriev, i dërguari special i presidentit rus.
Pas takimit me Putinin, Kushner dhe Witkoff pritet të udhëtojnë drejt Dublinit, ku do të takohen me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, për ta informuar mbi zhvillimet dhe rezultatet e bisedimeve të fundit.
Gjatë mbërritjes në Dublin, Zelensky u shpreh se sheh një mundësi që palët ndërluftuese të arrijnë një marrëveshje për armëpushim përpara vitit 2027.
“Ajo që është e rëndësishme është se amerikanët shkuan të takojnë Putinin me elementë konkretë. Do të doja shumë që të ktheheshin në Dublin me rezultate konkrete”, deklaroi presidenti ukrainas.
Ai përshëndeti gjithashtu ndryshimin e qëndrimit të SHBA-së lidhur me përfshirjen e Evropës në negociata, duke theksuar se pala amerikane po e trajton këtë çështje në mënyrë më pozitive.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi se bisedimet e zhvilluara në Abu Dhabi dëshmuan se SHBA-ja, Ukraina dhe Evropa janë të bashkuara dhe të koordinuara në qëndrimet e tyre.
Bisedimet në Abu Dhabi, përparim por mbeten mosmarrëveshje
Takimet dyditore në Abu Dhabi ishin negociatat e para të drejtpërdrejta mes Rusisë dhe Ukrainës pas më shumë se tetë muajsh.
Gjatë tyre, palët ranë dakord për një shkëmbim të ri dhe të madh të të burgosurve të luftës, ndërsa nuk arritën të gjenin dakordësi për disa çështje të rëndësishme, veçanërisht për rolin që duhet të ketë Evropa në negociata.
Megjithëse rezultatet konkrete mbeten të kufizuara, të dyja palët kanë folur për përparim dhe kanë konfirmuar se dialogu do të vijojë.
Kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, deklaroi se objektivi kryesor i negociatave ishte krijimi i një sistemi të ri sigurie në Evropë.
Megjithatë, Medinsky theksoi se Moska do të nënshkruajë një marrëveshje vetëm sipas kushteve të saj dhe përjashtoi mundësinë e çdo shkëmbimi territoresh.
Nga ana tjetër, kreu i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov, pranoi se mes palëve vazhdojnë të ekzistojnë dallime të rëndësishme.
Rusia kundër përfshirjes së Evropës në negociata
Një nga çështjet që ka krijuar përplasje gjatë bisedimeve është pjesëmarrja e vendeve evropiane në procesin e negociatave.
SHBA-ja dhe Ukraina mbështesin zgjerimin e diskutimeve për të përfshirë edhe përfaqësuesit evropianë, duke qenë se këto vende janë ndër mbështetësit kryesorë të Kievit.
Presidenti Zelensky ka kërkuar që Evropa të caktojë një përfaqësues të posaçëm për negociatat, ndërsa Moska vazhdon të kundërshtojë këtë ide.




