Një ngjarje e rëndë ka tronditur Britaninë, ku një 18-vjeçare akuzohet për vrasjen me thikë të një vajze 16-vjeçare, pas një konflikti për një djalë me të cilin të dyja kishin pasur lidhje romantike. Pamjet e kamerave të sigurisë, të paraqitura në gjykatë, tregojnë momentet para sulmit, kur Kayla Smith shihet duke vrapuar me një thikë kuzhine 20 centimetra në dorë dhe duke bërtitur: “Hajde, vajzë!”.

Krimi ndodhi më 28 mars në Austhorpe, Leeds, ndërsa viktima, Chloe Dransfield, u godit disa herë me thikë dhe u la e gjakosur në rrugë. Sipas dokumenteve të gjykatës, 16-vjeçarja mori tri goditje me thikë në shpinë dhe dy në qafë. Raporti i autopsisë zbuloi se goditja fatale kishte depërtuar 13 centimetra në trup, duke i prekur mushkëritë.

Sipas prokurorisë, sulmi ishte i paramenduar. Vetëm 18 minuta para ngjarjes, Smith i kishte dërguar një mesazh një shoqeje, ku shkruante: “Do ta godas me thikë”.

Gjatë gjyqit u zbuluan edhe kërcënimet e mëparshme mes dy vajzave. Në një komunikim, Smith dyshohet se i kishte thënë Chloe-s: “Do të të fus në një gropë. Shiko çfarë do të të bëj”. Ndërsa gjatë një telefonate me video në FaceTime, ajo dyshohet se e kishte kërcënuar: “Do të të godas me thikë në qafë”.

Sipas prokurorit Mark McKeown KC, konflikti mes dy vajzave lidhej me 18-vjeçarin Blake Dowling, i cili kishte qenë në një lidhje me të dyja. Ai ishte në dijeni të armiqësisë mes tyre.

Një tjetër detaj tronditës i ngjarjes është zbuluar nga dëshmitë në gjykatë. Para sulmit, Smith kishte thithur oksid azoti nga një tullumbace. Pas krimit, ajo ishte kthyer në shtëpinë e gjyshit të saj në Leeds.

Kur gjyshi telefonoi policinë, 37 minuta pas sulmit, oficerët e gjetën 18-vjeçaren së bashku me tre persona të tjerë, duke qeshur dhe bërë shaka, ndërsa po thithnin sërish oksid azoti.

Kayla Smith ka pranuar se e ka goditur me thikë 16-vjeçaren dhe se i ka shkaktuar plagët fatale, por mohon akuzën e vrasjes. Çështja po shqyrtohet nga gjykata britanike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb