Drake, i “fiksuar” me Shqipërinë, reperi shfaqet me gjerdan gjigant diamanti me shqiponjën dykrenare
Reperi kanadez me famë botërore, Drake, ka tërhequr edhe një herë vëmendjen e publikut shqiptar, pasi është shfaqur me një varëse luksoze në formën e shqiponjës dykrenare shqiptare. Gjerdani gjigant, i mbuluar me diamante, është pjesë e koleksionit të tij të bizhuterive dhe është ekspozuar në videoklipin e ri të Future, në këngën “Ya Hit”.
Aksesori i veçantë përfaqëson një nga simbolet më të rëndësishme të identitetit kombëtar shqiptar dhe është kombinuar me stilin karakteristik të reperit. Prania e shqiponjës në një tjetër paraqitje të tij ka nxitur reagime dhe komente të shumta në rrjetet sociale, veçanërisht nga fansat shqiptarë, të cilët kanë vënë në dukje interesimin e përsëritur të artistit për simbolet e Shqipërisë.
VIDEO KETU
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që Drake shfaqet me shqiponjën dykrenare. Në vitin 2023, në videoklipin e këngës “Polar Opposites”, ai u shfaq i veshur me një xhaketë të kuqe, në pjesën e pasme të së cilës ishte vendosur pikërisht emblema shqiptare. Ndërsa në paraqitje të tjera është fotografuar edhe me aksesorë që mbajnë simbole të ngjashme, duke e bërë këtë detaj një element që rikthehet herë pas here në stilin e tij.
Përdorimi i vazhdueshëm i simbolit shqiptar ka ngritur pikëpyetje mbi lidhjen e reperit me Shqipërinë. Edhe pse Drake nuk njihet të ketë prejardhje shqiptare dhe nuk ka dhënë një shpjegim të qartë publik për këtë interesim, në rrjetet sociale është përfolur për miqësitë dhe marrëdhëniet e tij me persona shqiptarë që në moshë të re. Deri më tani, megjithatë, arsyeja e vërtetë e këtij afrimiteti me simbolikën shqiptare mbetet e paqartë.



