E enjtja me mot të paqëndrueshëm, reshje shiu dhe erë të fortë, por temperaturat pësojnë rritje
Vendi ynë pritet të përfshihet ditën e enjte nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me vranësira mesatare deri të dendura dhe reshje shiu në disa zona të territorit.
Reshjet do të nisin që në orët e para të 24-orëshit, me intensitet të ulët. Në zonën e veriperëndimit priten reshje me intensitet deri mesatar, në formën e shtrëngatave, të shoqëruara me shkarkesa elektrike.
Sa i përket temperaturave, vlerat maksimale pritet të arrijnë deri në 24°C në Durrës, Tiranë, Fier dhe Gjirokastër, ndërsa në Elbasan, Berat dhe Vlorë termometri do të shënojë deri në 23°C.
Temperaturat minimale do të zbresin deri në 9°C në qytetin e Peshkopisë.
Era do të fryjë kryesisht nga kuadrati i jugut, me shpejtësi mesatare 10 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe në lugina, shpejtësia e saj pritet të arrijë deri në 25 m/s.
Në det parashikohet valëzim i forcës 4-6 ballë, ndaj kërkohet kujdes, veçanërisht për lundrimin.
Reshjet e shiut, era e fortë dhe deti me dallgë do të jenë karakteristikat kryesore të motit gjatë ditës së enjte.




