Një shtetas gjerman është arrestuar në rajonin e Gjilanit, pasi në automjetin me të cilin po udhëtonjanë gjetur dhe sekuestruar 43 armë të gjata automatike.
Sipas një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, arrestimi i të dyshuarit me inicialet L.S. është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me krimin e organizuar dhe trafikimin e kundërligjshëm të armëve.
Pas ndalimit në rajonin e Gjilanit, automjeti i të dyshuarit është dërguar për kontroll dhe skanim të mëtejshëm, me ç'rast janë zbuluar dhe sekuestruar 43 armët automatike.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ai dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, është duke zhvilluar hetime për zbardhjen e plotë të rastit, përfshirë verifikimin e origjinës dhe destinacionit të armëve.
Edhe
Vrasja e dyfishtë në Gjilan, Policia i gjeti të dyshuarit edhe armë të tjera në shtëpi
Për këtë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se institucionet po dëshmojnë përkushtim dhe profesionalizëm në parandalimin e luftimin e çdo veprimtarie kriminale.
“Një operacion i suksesshëm Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka rezultuar me arrestimin e një shtetasi gjerman dhe sekuestrimin e 43 armëve të gjata automatike. Institucionet tona po dëshmojnë përkushtim dhe profesionalizëm në parandalimin dhe luftimin e çdo veprimtarie kriminale, përfshirë rrjetet e trafikimit ndërkombëtar, që cenojnë sigurinë e qytetarëve tanë, të vendit tonë dhe më gjerë. Sundimi i ligjit nuk ka kompromis”, ka shkruar Sveçla në faqen e tij në Facebook.