Spanja është përfshirë nga një grevë e përgjithshme kombëtare, e para në 14 vitet e fundit, ndërsa miliona punonjës kanë ndërprerë punën për të protestuar kundër krizës së strehimit dhe rritjes së kostos së jetesës.
Sipas sindikatave, rreth katër milionë punonjës iu bashkuan protestës së 11 nëntorit, e organizuar me mbështetjen e dy sindikatave më të mëdha të vendit, UGT dhe CCOO, si dhe shoqatave të qiramarrësve.
Në qendër të pakënaqësisë është rritja e çmimeve të banesave dhe qirave, që ka vështirësuar jetesën veçanërisht për të rinjtë. Spanja përballet me një mungesë të vlerësuar prej rreth 750 mijë banesash, ndërsa kjo shifër mund të kalojë një milion deri në vitin 2028.
Greva ka shkaktuar ndërprerje në transportin publik, aktivitetin e porteve, fabrikat e automjeteve dhe biznese të tjera. Në Madrid dhe Barcelonë, një pjesë e dyqaneve qëndruan të mbyllura, ndërsa protestuesit bllokuan disa rrugë.
Protestat u shoqëruan edhe me përplasje me policinë. Sipas autoriteteve, 40 persona u arrestuan dhe 20 protestues mbetën të plagosur.
Kriza e strehimit është kthyer në një nga temat kryesore të debatit politik, përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 29 nëntorit.
Qeveria e kryeministrit Pedro Sánchez fajëson pjesërisht administratat rajonale dhe vendore për mungesën e banesave, ndërsa sindikatat kërkojnë masa më të forta edhe nga qeveria qendrore.
© SYRI.net