Një emër i vetëm përsëritet në qindra mesazhe kërcënuese që kanë shkaktuar alarm në shkolla, media dhe aeroporte në disa vende evropiane: Mikhail Andropov, i cili prezantohet si “udhëheqësi i Vilajetit të Misoginistanit”. Identiteti i tij mbetet i paqartë, ndërsa hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse bëhet fjalë për një person të vetëm, një grup apo një operacion të koordinuar për të përhapur panik.
Më 11 nëntor, një valë alarmesh të rreme për bomba përfshiu dhjetëra shkolla në Itali, si dhe disa media e aeroporte të rëndësishme në Evropë. Mesazhet e dërguara në qindra adresa elektronike shkaktuan evakuime dhe mobilizuan autoritetet e sigurisë.
Përveç përmbajtjes kërcënuese, vëmendjen e hetuesve ka tërhequr edhe mënyra se si autori ka zgjedhur të prezantohet. Pseudonimi “Andropov” duket se i referohet Yuri Andropovit, ish-kreut të KGB-së dhe udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik në periudhën 1982–1984.
Sipas analizave të publikuara nga e përjavshmja ruse “Argumenty i Fakty” (AiF), në mesazhet e mëparshme është përdorur edhe shprehja “Mesazh për Perëndimin”. Kjo mund të jetë një referencë ndaj librit “Një sfidë e re për Perëndimin”, me autorë Arnold Beichman dhe Mikhail Bernshtam, që trajtonte figurën e ish-udhëheqësit sovjetik.
Megjithatë, simbolika e përdorur nuk përbën provë për një lidhje me Moskën. Autoritetet theksojnë se deri tani nuk ka elemente që lejojnë t’ia atribuojnë kërcënimet Rusisë apo organizatave ruse. Një prej hipotezave që mbetet e hapur është ajo e një operacioni dezinformimi ose të një fushate hibride.
Një tjetër vështirësi për hetuesit është gjurmimi i burimit të mesazheve. Sipas raportimeve të transmetuesit irlandez RTE, emailet janë dërguar duke përdorur domene të ligjshme arsimore, çka ngre dyshime për kompromentim të serverave ose falsifikim të adresave elektronike, i njohur si email spoofing.
Gazetarët e RTE identifikuan një adresë të lidhur me një shkollë në Lituani. Në një rast tjetër, që kishte të bënte me kërcënime ndaj shkollave në qarkun Carlow të Irlandës, policia e gjurmoi mesazhin deri te një adresë e lidhur me një universitet në Tajlandë.
Edhe vetë emërtimi “Vilajeti i Misoginistanit” ka tërhequr vëmendjen për përzierjen e referencave historike dhe politike me gjuhën e kulturës së internetit. Fjala “vilajet”, e përdorur historikisht për njësi administrative, është ndërthurur me “Misoginistan”, një term satirik që qarkullon në rrjetet sociale për të ironizuar komunitetet me qëndrime mizogjene.
Kjo përzierje e referencave sovjetike, gjuhës provokuese dhe memeve online shihet si një mënyrë për të tërhequr vëmendjen dhe për të shtuar konfuzionin rreth autorit të kërcënimeve.
Në email-et e dërguara në shkollat italiane përdoreshin edhe kërcënime me përmbajtje ekstreme. Në njërin prej tyre shkruhej: “Kemi ardhur për t’ju shfarosur. Do të kryejmë gjenocid kundër italianëve”.
Mesazhi, i nënshkruar me emrin Mikhail Antropov, pretendonte se në ndërtesë ishte vendosur një “pajisje e fuqishme shpërthyese”, e fshehur në një qese plastike dhe e pajisur me një mekanizëm aktivizimi në distancë.
Hetimet po vijojnë në bashkëpunim mes autoriteteve policore dhe njësive të sigurisë kibernetike në disa vende. Për momentin, identiteti i personit që fshihet pas pseudonimit mbetet i panjohur, ndërsa nuk është përcaktuar nëse kërcënimet janë vepër e një hakeri të vetëm, e një grupi apo pjesë e një fushate të organizuar për luftë psikologjike.

