Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i ftuar në emisionin “Prime News24”, ka komentuar përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas kërkesës së këtij të fundit për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar ndaj kreut të qeverisë dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.

Boçi e cilësoi çështjen si një përplasje me karakter politik, duke shprehur dyshimin se Veliaj po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga akuzat ndaj tij drejt konfliktit të brendshëm në Partinë Socialiste. Sipas deputetit demokrat, marrëdhënia mes Ramës dhe Veliajt është më e ndërlikuar sesa një konflikt individual dhe mund të ketë edhe qëllime të tjera politike.

Ai u ndal edhe te kërkesa e Veliajt për komision hetimor, duke thënë se, nëse kërkon transparencë dhe hetim parlamentar, duhet të kërkojë edhe një komision për korrupsionin në Bashkinë e Tiranës.

Boçi komentoi gjithashtu pretendimet për financimin e protestave nga Veliaj, duke i cilësuar ato si kontradiktore me akuzat e tjera të artikuluara nga Rama, i cili ka përmendur Iranin, opozitën, shërbimet e huaja dhe organizatën ANTIFA si faktorë të mundshëm pas protestave.

Boçi: Veliaj po përpiqet të krijojë një rrethanë lehtësuese, duke bërë që pjesa thelbësore të mos jenë akuzat ndaj tij, por lufta e brendshme në PS. Brenda kësaj marrëdhënieje të komplikuar mund të ketë edhe qëllime të tjera nga Veliaj dhe ata në PS. Çështja nuk është aq individuale. Çështja është politike. Veliaj është kryebashkiak i Tiranës i PS.

Veliaj kërkon komision hetimor dhe e gjykon se është e drejtë. Propozimet për hetime në komisione nuk vijnë nga individë. Shumë mirë që e kërkon, por, për të qenë luajal, le të kërkojë komision hetimor për korrupsionin në Bashkinë e Tiranës. Ndaj them se është disi e komplikuar dhe qendra e debatit ka kaluar tek Veliaj.

Ndoshta u bë edhe me rrethanat me Strasburgun. Po të bëjmë raportin e akuzave që me demek Veliaj ka financuar protestat, ka një kundërthënie. Rama sot ka akuzuar iranianët, opozitën, shërbimet e huaja, ANTIFA-n. Tani ose është njëra, ose tjetra dhe Rama vetë nuk po e di kush është. Si përshtypja ime, Veliaj nuk ka as mundësinë, i burgosur, për protestën e flamengove. Unë mendoj se, në rrethanat e burgosjes, është disi jo e lehtë, sidomos kur bie edhe nga autoriteti, bëhet e pamundur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb