Franca ka ngritur shqetësimin për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në një konflikt të mundshëm me Rusinë, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të çojë në një përshkallëzim deri në një përplasje bërthamore. Parisi i ka kërkuar Gjermanisë të sqarojë planet për zhvillimin dhe përdorimin e arsenalit të ri raketor, nga frika se Moska mund t'i keqinterpretojë lëvizjet ushtarake të aleatëve evropianë. Sipas gazetës Financial Times, shqetësimi francez vjen në një kohë kur Berlini po përshpejton ndjeshëm forcimin e kapaciteteve të tij ushtarake. Gjermania planifikon të investojë rreth 12 miliardë euro për krijimin e një arsenali të ri raketash me rreze të gjatë veprimi, me synimin për të forcuar aftësitë parandaluese ndaj Rusisë.