Rasti i transmetuar këtë të mërkurë, më 11 nëntor, në emisionin “Stop” lidhet me denoncimin e qytetares Dallëndyshe Mataj nga Vlora, e cila prej vitesh ndodhet në një konflikt pronësie me fëmijët e dajës, lidhur me një objekt, që pretendohet, se është ndërtuar pa leje mbi pasurinë e saj.
Në vitin 2015, Dallëndyshja pajiset me certifikatë pronësie për 16 m² ndërtim dhe 41 m² truall. Por, sipas denoncimit të saj, vajza e dajës, Tefta Jace, ndërton më pas një objekt trekatësh pa leje dhe kërkon ta largojë nga prona.
Pas një sërë përplasjesh dhe peripecish, në vitin 2020 objekti përjashtohet nga procesi i legalizimit dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Vlorë nxjerr vendimin për prishjen e tij. Por, ndonëse kanë kaluar 6 vite, vendimi mbetet ende i pazbatuar dhe objekti vazhdon të qëndrojë në këmbë.
Për të mësuar, se përse një vendim prishjeje nuk është ekzekutuar për kaq shumë vite, “Stop” i drejtohet IMT-së Vlorë. Punonjësja shpjegon, se vendimi i vitit 2020 është rivënë në afate gjatë vitit 2025 dhe institucionit i është kërkuar ndihma e IKMT-së për ndërhyrjen.
Sipas saj, IMT-ja nuk disponon mjetet e nevojshme për të realizuar prishjen, ndërsa IKMT-ja është shprehur, se nuk mund të ndërhyjë për shkak të terrenit.
Në komunikimin me IKMT-në Vlorë, drejtori konfirmon, se institucioni nuk ka trupë operacionale dhe mjete për të kryer prishjen.
“Ne nuk kemi trupë operacionale, ose ndryshe nuk kemi mjete, nuk prishim dot. Ti, a e beson vërtetë, që Imt-ja nuk ka mjete? Atë nuk e di unë, a kanë mjete, a s’kanë mjete.”
“Stop” kontaktoi edhe nënkryetaren e Bashkisë Vlorë, Klea Lalo, por kjo e fundit nuk dha një përgjigje për rastin.
/Emisioni STOP











