Kryeministri Edi Rama ka folur në Dublin të Irlandës për raportin e tij me presidentin amerikan Donald Trump, afrimin me familjarët e tij dhe projektet që lidhen me Shqipërinë. Gjatë një diskutimi të organizuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), Rama u pyet nëse afrimi me Trumpin dhe njerëzit pranë tij duhet të përbëjë shqetësim, veçanërisht në kushtet e një hetimi të madh që pritet të nisë në janar.
Kreu i qeverisë iu referua edhe karakterit të shqiptarëve, duke e lidhur atë me atë të irlandezëve. “Shqiptarët dhe irlandezët kanë të përbashkët kokëfortësinë dhe mungesën e sofistikimit”, u shpreh Rama. Kryeministri zbuloi se pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane, kishte marrë paralajmërime se mund të gjendej në një pozitë të vështirë për shkak të marrëdhënieve të tij me George Sorosin dhe të birin. Megjithatë, sipas Ramës, ai nuk e sheh miqësinë përmes prizmit të ndryshimeve politike.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, dhe projektit të tij në Shqipëri. Rama sqaroi se kontaktet e para për këtë projekt kishin nisur në një kohë kur rikthimi politik i Donald Trumpit nuk ishte aspak i sigurt. “Pashë një amerikan që donte të bënte një gjë për vendin tim”, deklaroi Rama, duke theksuar se Shqipëria duhet të mbetet një vend mikpritës për investitorët amerikanë, pavarësisht lidhjeve familjare apo politike të tyre. Ai solli në vëmendje edhe të kaluarën komuniste të vendit, duke argumentuar se në Shqipëri nuk duhet të paragjykohet dikush për shkak të familjes apo prejardhjes së tij.
“Shqipëria është shumë mikpritëse ndaj amerikanëve, qoftë ky i biri i Sorosit apo dhëndri i Trumpit, dhe unë e ruaj këtë gjë, sepse ne vijmë nga komunizmi, ku, duke qenë biri i dikujt, mund të shkoje në burg ose të ngriheshe lart”, u shpreh kryeministri. Në përfundim, Rama këmbënguli se projektet dhe marrëdhëniet ekonomike duhet të shqyrtohen mbi bazën e meritës dhe transparencës, jo përmes interpretimeve apo teorive politike.
“Pra, nuk duhet të gjykojmë me teori, por sipas meritës. As nuk dua të di çfarë ndodh në SHBA, por di që, kur bëhet fjalë për këtë projekt, nuk ka asgjë për të fshehur dhe për të pasur frikë”, përfundoi Rama.
