Kryeministri Edi Rama, nga Dublini ka folur për protestën e ‘flamingove’ të zhvilluar në Tiranë, për të cilën tha se ‘u ndez’ nga urrejtja e madhe kundër Presidentit amerikan Donald Trump, pasi një prej investitorëve do të ishte dhëndri i tij, Jared Kushner.

Rama theksoi se persona, organizata dhe shtete të tjera, që urrenin Donald Trump, zgjodhën bulevardin Dëshmorët e Kombit për të zhvilluar betejën e tyre, ashtu siç sipas kryeministrit, diktatori romak Jul Çezari zgjodhi jugun e Shqipërisë për të zhvilluar betejën kundër kundërshtarit të tij, Pompeut.

“Le të jemi të sinqertë, ky revolucioni i flamengove, që emrin e ka shumë tërheqës, është rezultat i një urrejtjeje shumë të madhe ndaj Donald Trump. Nëse hija e Donald Trump nuk do të ishte në sfond të kësaj çështje mjedisore, s’do kishit dëgjuar asgjë për flamingot. Të gjithë ata që urrenin Trump, gjetën bulevardin e Tiranës për ta bërë këtë betejë, njësoj si Çezari që gjeti jugun e Shqipërisë për të luftuar kundër Pompeut. Ka kaq shumë gënjeshtra. Jam i sigurt se po t’ju pyes tani, do të mendonit sikur Irlanda është privatizuar nga familja Trump”, tha Rama.

Teksa iu përmend dobësimi i pozitave të Trump në SHBA pas humbjes së zgjedhjeve të mesmandatit, kryeministri Rama tha se investimi në Zvërnec nuk kishte asnjë lidhje me Presidentin amerikan.

Madje sipas Ramës, takimi i tij me Kushner për investimin në Zvërnec ishte zhvilluar kur Donald Trump, atëherë nuk ishte president, por ‘kandidat për në burg’.

“Irlandezët janë shumë të ngjashëm me shqiptarët kur bëhet fjalë për këtë. Ne nuk jemi francezë, por jemi kokfortë e të pasofistikuar. Mund edhe të krenohemi që nuk jemi kaq të sofistikuar, që t’i themi të vërtetat për ato interesat e përditshme. Kur u zgjodh Trump, më thanë që është shumë rrezik, sepse jam mik me Sorosin dhe të birin. Megjithatë unë nuk diskutoj as miqësinë e as besnikërinë me miq që i kam për kohë të gjatë, por ka edhe një të vërtetë tjetër që e kam thënë, që kur kam takuar Kushnerin dhe folëm për këtë projekt, e ardhmja e Trump nuk ishte kaq e qartë. Ai ishte një kandidat për të shkuar në burg. Unë pash një amerikan që donte të bënte diçka për vendin tim. Unë s’dua t’ja di se çpo ndodh me SHBA-të, sepse kur bëhet fjalë për këtë projekt, s’ka asgjë për të pasur frikë, por përkundrazi për t’u ndierë krenar. Nga faktet do të shihni se Kushner nuk ka marrë asnjë trajtim të ndryshëm sesa kanë marrë asnjë trajtim të ndryshëm që ju është dhënë edhe investitorëve të tjerë lokalë e ndërkombëtarë. Vetëm 8 % e ishullit mund të ndërtohet. Sepse qeveria shqiptare ka kërkuar një projekt që të jetë emblemë në Europë”, shtoi Rama.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Kryeministri Rama nga Dublini: Shohim një derë të hapur për t’u bërë pjesë e familjes europiane, jemi në një moment përcaktues të historisë tonë