
Kryeministri Edi Rama është shprehur se Shqipëria ka një mundësi reale për anëtarësimin në BE, teksa shtoi se synimi është që negociatat të mbyllen brenda vitit 2027.
Komentet Rama i bëri nga kryeqyteti i Irlandës, Dublini, ku ishte i ftuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), për të folur me një audiencë ekspertësh të Europës e Ballkanit dhe diplomatësh për temën “Udhëtimi Europian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”.
“Jemi në një moment tejet përcaktues të historisë sonë. Shohim një derë të hapur si një mundësi reale të vërtetë, për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje europiane. Është një moment që është shndërruar në një moment kulmor, ku gjërat që dukeshin të pamundura, tani janë të mundura. Mund të bëhemi pjesë e kësaj familjeje më në fund. Duhet të bëjmë maksimumin që të përmbushim pritshmëritë e palës tjetër. Sigurisht që Europa ka një proces të ndërlikuar vendimmarrjeje. Ajo që është më e rëndësishme është që t’ja dalim me sukses të përmbyllim kapitujt e negociatave. Sot çdo gjë po ecën sipas rregullave dhe jemi dakord edhe me komisionin për këtë. Do të bëjmë të gjitha përpjekjet që t’i përmbyllim negociatat brenda vitit 2027, pavarësisht se është diçka ambicioze. Për të kaluar nga një situatë ‘gjithçka ose asgjë’ në një situatë ku vendet merren në mënyrë graduale, është qasja e duhur. Plani i rritjes është pjesë e kësaj qasjeje. Është më mirë se më parë kur nuk kishte asnjë stimul, por vetëm detyra shtëpie”, tha Rama.
Lajm në përditësim...

Kryeministri Edi Rama, i ftuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane në Dublin, komentoi zhvillimet politike në Serbi, duke theksuar se vendi po kalon një eksperiment social dhe politik me Listën Studentore.
“Serbia po kalon në një eksperiment social dhe politik me listën studentore dhe me metodën e përzgjedhjes dhe zgjedhjes së personave që do të jenë në parlament dhe qeveri.
Për sa na takon ne shqiptarëve, duket se nuk ka ndonjë hapje përsa i takon marrëdhënieve me Kosovën, apo sanksioneve kundër Rusisë.
Është interesante, por shumë herët të tregohemi entuziastë për këtë ndryshim. Për sa kohë nuk ka një qasje të hapur ndaj Kosovës, do të thotë që fantazma e së shkuarës do ta përndjekë dhe pengojë Beogradin për të kryer një katarsis”, tha Rama.










Komente
Komento