Në ditët e sotme, shumica e njerëzve e dinë se duhanpirja dhe një dietë me përmbajtje të lartë yndyre janë të dëmshme për zemrën. Por, kur bëhet fjalë për sëmundjet e veshkave, pak njerëz mund të përmendin faktorët e rrezikut.
Megjithatë, vlerësohet se 7.2 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë me sëmundje kronike të veshkave (SKV), dhe ky numër është në rritje.
Nga tensioni i lartë i gjakut te ibuprofeni dhe ndotja e ajrit, këta janë faktorët e rrezikut që të gjithë duhet t’i njohin.
Zgjedhjet e stilit të jetesës
Ndërsa diabeti është shkaku kryesor i sëmundjes kronike të veshkave – afërsisht një në tre pacientë me diabet përfundon duke zhvilluar sëmundje të veshkav faktorët e stilit të jetesës, përfshirë obezitetin, duhanpirjen, mungesën e aktivitetit fizik dhe kolesterolin e lartë, luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm.
“Çdo gjë që përbën një faktor rreziku për sëmundjet kardiovaskulare është, pothuajse me përkufizim, edhe një faktor rreziku për sëmundjet e veshkave”, thotë Sir John Cunningham, mjek nefrolog në Spitalin Royal Free.
Kjo ndodh sepse si zemra, ashtu edhe veshkat varen në masë të madhe nga enët e shëndetshme të gjakut. Kjo do të thotë se dëmtimi i sistemit vaskular mund të prekë të dyja organet.
Për këtë arsye, Sir John thekson rëndësinë e zbatimit të “shumë prej masave që mbrojnë zemrën dhe enët e gjakut, përfshirë mbajtjen nën kontroll të tensionit të gjakut dhe nivelit të sheqerit në gjak, shmangien e duhanpirjes, kryerjen e aktivitetit fizik dhe ruajtjen e një peshe të shëndetshme”.
Tensioni i lartë i gjakut
Ndërsa dihet se tensioni i lartë i gjakut, kur nuk mbahet nën kontroll, rrit rrezikun e infarktit dhe goditjes në tru, ndikimi i tij në veshka është më pak i njohur. Megjithatë, pas diabetit, ai është shkaku i dytë më i shpeshtë i sëmundjes kronike të veshkave.
Në Mbretërinë e Bashkuar, rreth një në tre të rritur ka tension të lartë të gjakut, por gjysma e tyre nuk janë në dijeni të kësaj gjendjeje.
Tensioni i lartë i gjakut “dëmton me kalimin e kohës enët tona të gjakut, përfshirë ato që ndodhen në veshka, duke i detyruar ato të ngushtohen dhe të dobësohen”, shpjegon Dr Samantha Lawes, drejtoreshë e zhvillimit të kërkimit shkencor në organizatën Kidney Research.
Me kalimin e kohës, enët e ngushtuara të gjakut nuk mund të transportojnë sasi të mjaftueshme oksigjeni dhe lëndësh ushqyese drejt njësive filtruese të veshkave. Kjo shkakton formimin e indit cikatricial dhe dëmtime që përkeqësohen gradualisht.
Për më tepër, ekziston një “marrëdhënie dykahëshe” midis tensionit të lartë të gjakut dhe sëmundjeve të veshkave, thotë Dr Lawes.
“Veshkat ndihmojnë në kontrollin e tensionit të gjakut, ndaj nëse vuani nga sëmundja kronike e veshkave, keni më shumë gjasa të zhvilloni tension të lartë të gjakut, dhe anasjelltas.”
Problemi është se tensioni i lartë i gjakut pothuajse nuk shfaq simptoma, çka e bën të rëndësishme njohjen e faktorëve që rrisin rrezikun për këtë gjendje.
“Sa më shumë të rriteni në moshë, aq më shumë shtohen gjasat për të zhvilluar tension të lartë të gjakut, veçanërisht nëse keni histori familjare. Pasi mbushim moshën 40 vjeç, Shërbimi Shëndetësor Kombëtar britanik (NHS) rekomandon kryerjen e një kontrolli të tensionit të gjakut një herë në pesë vjet, për të menaxhuar rrezikun”, thotë Dr Lawes.
Dehidratimi
Në shumicën e rasteve, kur ndiejmë etje, e korrigjojmë vetë këtë gjendje duke pirë më shumë ujë.
“Edhe nëse dilni për një shëtitje në një ditë të nxehtë dhe nuk pini asgjë për dy deri në tri orë, normalisht organizmi juaj do të jetë në gjendje të përballojë situatën”, thotë Sir John.
Por, në disa rrethana çuditërisht të zakonshme, si për shembull kur vuani nga një infeksion i rëndë i stomakut, dehidratimi mund të bëhet aq serioz sa të rrezikojë funksionimin e veshkave.
Personat më të rrezikuar përfshijnë “ata që vuajnë nga gastroenteriti i rëndë, i shoqëruar me periudha të zgjatura të të vjellave ose diarresë, ata që kanë temperaturë të lartë ose sepsë, e cila shoqërohet me djersitje të tepërt”, thotë Dr Lawes.
“Në këtë kategori përfshihen edhe personat me diabet të pakontrolluar, i cili mund të shkaktojë urinim të shpeshtë dhe në sasi të mëdha.”
Këto situata janë veçanërisht problematike për “personat e moshuar ose ata që kanë probleme ekzistuese me veshkat”, edhe në rastet kur mund të mos jenë në dijeni të tyre, shton ajo.
Dehidratimi i rëndë zvogëlon qarkullimin e gjakut drejt veshkave, duke shkaktuar potencialisht dëmtim akut të veshkave (DAV).
“Në këtë situatë, personi papritur fillon të prodhojë shumë më pak urinë, ndien etje të jashtëzakonshme dhe mund të duket i lodhur dhe i hutuar”, thotë Dr Lawes.
“Në çdo rast, nëse një person prodhon shumë më pak urinë se zakonisht, duhet të kërkojë këshillë mjekësore.”
Medikamentet që merren pa recetë
Disa prej tabletave që marrim pa u menduar dy herë mund t’i rëndojnë veshkat dhe të shkaktojnë dëmtim akut të tyre, i cili mund të sjellë dëmtime të rënda brenda disa orësh ose ditësh, thotë Dr Lawes.
Medikamentet më problematike janë antiinflamatorët josteroidë (NSAID), si ibuprofeni, naprokseni dhe diklofenaku, të cilët mund të pakësojnë qarkullimin e gjakut nëpër veshka.
“Ndërsa shumica e njerëzve që i marrin këto medikamente nuk kanë asnjë problem, personat disi më të moshuar ose ata që mund të kenë humbur tashmë një pjesë të funksionit të veshkave janë shumë më të rrezikuar nga komplikacionet”, thotë Sir John.
Një studim i botuar në revistën Pharmaceuticals zbuloi se të moshuarit dhe personat që vuajnë tashmë nga insuficienca kardiake, cirroza e mëlçisë ose funksioni i reduktuar i veshkave janë veçanërisht të cenueshëm ndaj problemeve renale të shkaktuara nga antiinflamatorët josteroidë, sidomos kur këto medikamente përdoren në doza të tepërta ose për periudha të gjata.
Në raste ekstreme, “këto medikamente mund të përfundojnë duke shkaktuar dështim të plotë të veshkave dhe nevojën për dializë”, thotë Sir John, duke shtuar se marrja e antiinflamatorëve josteroidë gjatë dehidratimit mund të rrisë gjithashtu rrezikun për veshkat.
Kjo nuk do të thotë se të gjithë duhet të ndërpresin marrjen e këtyre medikamenteve, siguron Dr Lawes.
“Është e rëndësishme të mbani mend se këto medikamente nuk janë pa rrezik dhe duhet të merren në përputhje me udhëzimet përkatëse. Nëse keni ndonjë shqetësim, duhet të konsultoheni me farmacistin ose mjekun tuaj.”
Infeksionet virale
Një sërë infeksionesh mund të dëmtojnë veshkat, përfshirë infeksionet e rënda virale, infeksionet e përsëritura ose të patrajtuara të traktit urinar, HIV-in, hepatitin dhe sepsën.
Në disa raste, infeksioni mund të shkaktojë rënie të menjëhershme të tensionit të gjakut ose të nxisë një proces të përhapur inflamator në organizëm, duke pakësuar qarkullimin e gjakut drejt veshkave dhe duke shkaktuar dëmtim akut të tyre.
Disa infeksione mund të dëmtojnë gjithashtu drejtpërdrejt indet e veshkave.
Gjatë pandemisë, Dr Lawes shprehet:
“Dëmtimi akut i veshkave ishte një nga ndërlikimet kryesore te personat që kaluan një formë të rëndë të Covid-it.”
Shenjat paralajmëruese ndryshojnë në varësi të infeksionit, por mund të përfshijnë temperaturë, dhimbje në shpinë ose në anën e trupit, dhimbje gjatë urinimit ose gjak në urinë, thotë ajo.
Nëse keni një infeksion, qëndrimi i hidratuar mirë dhe kërkimi i këshillës mjekësore nëse simptomat përkeqësohen mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të ndërlikimeve.
Personat që marrin antiinflamatorë josteroidë duhet gjithashtu të tregojnë kujdes, veçanërisht nëse dehidratohen.
Drogat rekreative
Një sërë substancash narkotike të paligjshme, përfshirë kokainën, amfetaminat, ekstazinë, heroinën dhe kanabinoidet sintetike, mund të shkaktojnë dëmtime serioze të veshkave, thotë Sir John.
Ai shton se kokaina mund të jetë veçanërisht e dëmshme, sepse “rrit ndjeshëm tensionin e gjakut, duke pakësuar qarkullimin e gjakut drejt veshkave”.
Ajo mund të shkaktojë gjithashtu rabdomiolizë, një gjendje e rrallë dhe kërcënuese për jetën, gjatë së cilës muskujt shpërbëhen dhe çlirojnë një proteinë që shkakton dëmtim akut të veshkave.
Heroina dhe opioidet mund të shkaktojnë gjithashtu rabdomiolizë dhe të çojnë në sëmundje të rënda të veshkave.
Në mënyrë të ngjashme, amfetaminat dhe metamfetamina mund të rrisin temperaturën e trupit dhe tensionin e gjakut, duke çuar në shpërbërje të rëndë të muskujve dhe dështim të veshkave.
Një tjetër substancë është ketamina.
“Ketamina është një rast interesant”, thotë Sir John.
“Ajo shkakton dëmtime progresive të fshikëzës urinare dhe ureterëve, të cilët janë tubat që lidhin veshkat me fshikëzën urinare. Kjo bën që ato të inflamohen dhe të fillojnë të tkurren.
Shumë të rinj po zhvillojnë atë që njihet si ‘fshikëza e ketaminës’, një gjendje në të cilën kanë nevojë për vendosjen e një kateteri, sepse inflamacioni i fortë dhe formimi i indit cikatricial mund të bllokojnë uretrën, duke penguar nxjerrjen natyrale të urinës nga organizmi.
Dëmet afatgjata që shkakton ketamina janë diçka që duhet marrë seriozisht në konsideratë. Është e tmerrshme.”
Metalet e rënda
Plumbi, merkuri dhe kadmiumi njihen si substanca toksike për veshkat, thotë Dr Lawes, megjithëse në Britaninë e Madhe ato janë shkaqe shumë më pak të zakonshme të sëmundjeve të veshkave krahasuar me faktorët e tjerë të rrezikut.
Personat më të rrezikuar janë ata që ekspozohen ndaj metaleve të rënda përmes punës së tyre.
“Kjo mund të ndodhë, për shembull, nëse punojnë në një mjedis të caktuar industrial ose me produkte të kontaminuara”, thotë ajo.
Ekspozimi afatgjatë ndaj niveleve të ulëta të metaleve të rënda mund të shkaktojë inflamacion dhe stres oksidativ në indet e veshkave, duke dëmtuar gradualisht aftësinë e tyre për të funksionuar.
Në raste më të rralla, ekspozimi ndaj një sasie të lartë të këtyre metaleve brenda një periudhe të shkurtër mund të shkaktojë dëmtim akut të veshkave.
Simptomat ndryshojnë në varësi të llojit të metalit dhe nivelit të ekspozimit, thotë Dr Lawes.
“Nëse punoni me metale të rënda, duhet patjetër të konsultoheni me departamentin e shëndetit në punë ose të përpiqeni të diskutoni rrezikun tuaj individual me mjekun e familjes.”
Ndotja e ajrit
Ajri që thithim mund të ketë gjithashtu pasoja për shëndetin e veshkave. Ekspozimi afatshkurtër dhe afatgjatë ndaj ndotjes mund t’i dëmtojë veshkat drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë, duke përkeqësuar faktorë të tjerë rreziku, si tensioni i lartë i gjakut dhe diabeti i tipit 2, thotë Dr Lawes.
Kur thithim ajër të ndotur, grimcat mikroskopike mund të depërtojnë në qarkullimin e gjakut dhe të nxisin stresin oksidativ dhe inflamacionin, duke dëmtuar potencialisht indet delikate të veshkave dhe enët e gjakut.
“Ky është një shqetësim shëndetësor që po merr gjithnjë e më shumë vëmendje. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se, për sa i përket shëndetit të veshkave, ndotja e ajrit nuk përbën një faktor rreziku të krahasueshëm me tensionin e lartë të gjakut apo diabetin”, thotë Dr Lawes./TheTelegraph
© SYRI.net