Tjetër tragjedi në futboll/ 22-vjeçari vdes gjatë stërvitjes
Një lajm i trishtë ka tronditur futbollin francez. Futbollisti i ri Wanis Honsor ka ndërruar jetë në moshën vetëm 22-vjeçare, pasi pësoi një arrest kardiak gjatë një seance stërvitore me skuadrën e tij, Saint-Denis FC.
Mbrojtësi u rrëzua papritur në fushë, duke shkaktuar alarm te bashkëlojtarët dhe stafi i ekipit. Personeli mjekësor ndërhyri menjëherë dhe bëri gjithçka ishte e mundur për ta rikthyer në jetë, por fatkeqësisht përpjekjet për reanimim rezultuan të pasuksesshme.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka shkaktuar dhimbje të madhe edhe te FC Rouen, klubi ku Honsor hodhi hapat e parë në futboll dhe u formua si lojtar. Me fanellën e ekipit të parë të Rouen, ai regjistroi tri paraqitje gjatë sezonit 2023-2024, duke arritur të shënojë edhe një gol.
Klubi francez reagoi zyrtarisht përmes një mesazhi prekës, ku shprehu trishtimin për humbjen e parakohshme të ish-futbollistit të tij.
“FC Rouen 1899 mësoi këtë mëngjes me trishtim të madh për ndarjen e parakohshme nga jeta të Wanis Honsor, i cili pësoi një arrest kardiak gjatë një seance stërvitore me klubin e tij Saint-Denis FC”, thuhej në njoftimin e klubit.
Një jetë e ndërprerë shumë herët dhe një humbje e rëndë për familjen, miqtë, bashkëlojtarët dhe të gjithë ata që e njohën 22-vjeçarin.




