U gjet e pajetë në banjën e shtëpisë, partneri i 39-vjeçares bën rrëfimin e papritur në sallën e gjyqit: Jam fajtor

11/11/2026 19:24

Një zhvillim i papritur ka shënuar procesin gjyqësor për vdekjen e Ramona Rinaldit, 39 vjeçe, në Como të Italisë. Partneri i saj, Daniele Re, 35 vjeç, ka pranuar fajësinë në sallën e gjyqit, duke habitur edhe vetë avokatin e tij mbrojtës.

“Dua të deklarohem fajtor dhe t’u kërkoj falje familjes, të afërmve dhe të gjithëve”, deklaroi 35-vjeçari në përfundim të fazës së paraqitjes së provave në gjykim.

Ramona Rinaldi u gjet e varur në kabinën e dushit në banesën e saj në Veniano, mëngjesin e 21 shkurtit 2025. Sipas dëshmisë së dhënë në atë kohë, Daniele Re kishte telefonuar shërbimet e emergjencës në orët e para të mëngjesit, duke pretenduar se ishte zgjuar rreth orës 05:00 dhe nuk e kishte gjetur partneren.

Më pas, sipas versionit të tij, kishte zbuluar trupin e pajetë në banjë. Megjithatë, këqyrjet e mëvonshme të vendngjarjes nga karabinierët ngritën dyshime për rrethanat e ngjarjes.

Një nga elementet që tërhoqi vëmendjen e hetuesve ishte lavatriçja e vendosur në banjë, e cila ishte vënë në punë dhe përmbante, mes rrobave të tjera, edhe këmishën e natës së Ramonës. Hetuesit dyshuan se larja e rrobave mund të kishte pasur si qëllim eliminimin e një prove.

Dyshime të tjera u ngritën edhe nga dëshmitë e fqinjëve, të cilët deklaruan se gjatë natës kishin dëgjuar një zhurmë të fortë, rreth orës 01:00. Daniele Re pretendoi se nuk kishte dëgjuar asgjë. Elemente të tjera që lidhen me orën e vdekjes dyshohet se dolën edhe nga ekspertiza autoptike, duke ngritur pikëpyetje mbi versionin e ngjarjes të paraqitur nga partneri i viktimës.

Sipas hetuesve, motivi i mundshëm i vrasjes lidhet me frikën e Daniele Re se Ramona mund të vendoste t’i jepte fund marrëdhënies së tyre. Gjatë procesit, prokurori kërkoi kryerjen e një ekspertize të mëtejshme psikiatrike për të vlerësuar gjendjen e tij mendore dhe aftësinë për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet në momentin e ngjarjes.

Gjykata e Apelit me Jurë (Corte d’Assise) pranoi kërkesën dhe vendosi shtyrjen e procesit deri më 2 dhjetor.

Top Channel