E ftuar në një lidhje Skype në emisionin “Task Force” me Sonila Meçon, nënkryetarja e PD-së, Erisa Bajaziti, ka akuzuar Partinë Socialiste për kapjen e institucioneve dhe deformimin e procesit zgjedhor, duke deklaruar se “duket sikur selia e Partisë Socialiste është zhvendosur në SPAK”.
Bajaziti theksoi se parregullsitë në zgjedhjet e vitit 2025, keqpërdorimi i burimeve shtetërore dhe presioni ndaj administratës kanë prodhuar një parlament që nuk pasqyron votën reale të shqiptarëve.
Ajo kritikoi SPAK-un për mosveprimin në kohë ndaj sinjaleve për shkeljet zgjedhore, ndërsa akuzoi mazhorancën se po kërkon të zhvillojë reformën zgjedhore dhe proceset e tjera politike në mënyrë të njëanshme, duke përjashtuar opozitën.
“Partia Socialiste nuk e konsideron institucionin e opozitës dhe vlerën e shtuar që ajo ka në këtë proces”, deklaroi Bajaziti, duke kërkuar dialog politik dhe përfshirjen e opozitës në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit Europian.
Pjesë nga intervista:
Në fakt unë e nis me një pyetje... të gjithë situatën që po ndodh në Shqipëri. Partia Socialiste në fakt, ku e ka selinë fizike? Se duket sikur është zhvendosur dhe selia e Partisë Socialiste e ka selinë në SPAK. Duke parë të gjithë ata eksponentë të Partisë Socialiste që janë duke e frekuentuar SPAK-un për një arsye ose për një tjetër, kemi arsye na bën ne të ta shohim situatën, të realitetit shqiptar me një shqetësim shumë të madh. Në fakt zoti Nela ngriti një pyetje shumë të rëndësishme, çfarë bëri SPAK-u? Por çfarë bënë vetë kandidatët, ose Partia Socialiste për t'u siguruar që mos të jenë objekt i SPAK-ut për një arsye ose për një tjetër?
Partia Demokratike i ka deklaruar jo vetëm parregullsitë gjatë zgjedhjeve, por ka paralajmëruar të gjitha sinjalet që do të çonin në këtë situatë kaotike për Shqipërinë gjatë zgjedhjeve të vitit 2025. Sepse këto parregullsi në zgjedhje, të cilat u reflektuan edhe në raportin e OSBE/ODIHR-it, sollën sot një parlament ku çdo deputet i Partisë Socialiste bën presion ndaj opozitës dhe ndaj qytetarëve shqiptarë që është gati të kalojë çdo ligj, çdo amendament, vetëm sepse ata kanë numrat në parlament. Dhe ky nuk është një numër që tregon votën reale të shqiptarëve, por janë këto zgjedhje me mangësi madhore që kanë çuar këtë situatë në të cilën ndodhet sot edhe parlamenti shqiptar. Gjithashtu, parregullsitë në zgjedhje janë të evidentuara dhe në progres-raportin e Komisionit Europian, ku kërkohet që të ndiqen edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Pra është një situatë e paprecedent dhe është pikërisht moslejimi i zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që ne po e shohim të reflektuar në pasojat të cilat po i ndjen sot Shqipëria. SPAK-u padyshim që duhet të kishte vepruar shumë kohë më parë për të mos lejuar që ne sot të jemi përpara këtij fakti, sepse parlamenti shqiptar sot është një fakt. Deputetë, parti socialiste, eksponentë të saj sot janë fakt përpara dyerve të SPAK-ut. Sot miratimi i një reforme apo i një ligji pa dialogun dhe konsensusin e opozitës është një fakt. Pra, nuk kemi se si ta ndryshojmë këtë realitet vetëm nëse drejtësia nuk bën punën e saj në kohë, jo vetëm kur janë përpara faktit, por kur sinjalet e para jepen për të ndihmuar Shqipërinë që të veprojë sipas rregullave dhe normave demokratike. Duhet të funksionojë institucioni i parlamentit, duhet të funksionojë drejtësia, sepse mos harrojmë që sot qytetarët shqiptarë ndodhen rrugëve dhe në sheshe për shkak të mungesës së drejtësisë.
Po, dhe nuk flasim për një parregullsi të limituar, apo një parregullsi e cila është një rast i izoluar, por kemi një palë zgjedhje që u zhvilluan në kushte të pabarabarta, kemi keqpërdorimin e burimeve shtetërore, kemi mosndarjen e partisë nga shteti, kemi presionin që ushtruan ndaj administratës. Pra janë një sërë çështjesh serioze në të cilat e kanë degraduar sot shtetin shqiptar në këtë gjendje.
Zgjedhjet në Shqipëri dhe zhvillimi i reformave janë një monopol i Partisë Socialiste dhe të gjithë institucionet janë në funksion të Partisë Socialiste. Harrojnë që Shqipëria duhet qeverisur me vizion, dhe ky është një proces i cili duhet të zhvillohet patjetër me dialog politik, në mënyrë që mos të përshkallëzohet polarizimi politik. Pavarësisht se ne sot jemi përballë një situate të tillë, ku vetë Balla deklaron që do të marrin vendime të njëanshme, pra çfarë do të thotë, që ata nuk e konsiderojnë institucionin e opozitës, opozitën dhe mendimin, dhe vlerën e shtuar që mund të ketë partia opozitare në këtë proces. Dhe për më tepër, këto janë rekomandime të shkruara dhe në raportin e Komisionit Europian, sepse bëhet fjalë për një reformë e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse.
Po mund të shkohet, por atëherë këtu kemi një thyerje të premtimit, sepse nëse do të kthehemi pak kohë më parë tek Partia Socialiste, po përsëri gjatë zgjedhjeve, është Partia Socialiste e cila deklaronte që do të fitonte zgjedhjet sepse do t'ju jepte shqiptarëve një pasaportë europiane, por ndërkohë normat, rregullat dhe standardet europiane flasin për të tjera procese. Flasin për një proces demokratizimi i cili padyshim nuk duhet të anashkalojë opozitën. Kështu që dhe Partia Socialiste është sot përballë një prove të madhe përpos asaj që pretendon për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Europian. Dhe këtu shohim ne një krisje të madhe të asaj që Partia Socialiste flet dhe realitetit shqiptar, dhe gjetjeve në raportin e Komisionit Europian. Sepse Partia Demokratike është një parti e cila nuk mund të anashkalohet në këtë proces, dhe nëse ata duan që ta bëjnë këtë reformë, Partia Demokratike nuk është aty thjesht për numër, është sepse ka një vlerë të shtuar.
© SYRI.net
‘Oltion Bistri, njeri i Ramës’/ Saraçi: Kush i zhduku akuzat për korrupsion dhe pastrim parash në shkallën e parë?
VIDEO/ U dënua me burg nga Apeli i GJKKO, Tela: Oltion Bistri nuk ndodhet në Shqipëri, s’dihet nëse do kthehet
‘Rrugën e dreqit e more’/ Gazetari ironizon Sara Milën pas daljes nga SPAK: Shkove për një makiato…?