E mërkurë, 11 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
“Fike telefonin dhe zhduku!” Si paralajmërohej Pëllumb Gjoka nga Oltion Bistri për aksionet
Lajme

“Fike telefonin dhe zhduku!” Si paralajmërohej Pëllumb Gjoka nga Oltion Bistri për aksionet

Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar vendimin për ish-drejtuesin e Policisë së Shtetit, Oltion Bistri, duke e dënuar me 7 vite e 4 muaj burg dhe duke urdhëruar konfiskimin e disa pasurive të tij. Vendimi vjen pas rishqyrtimit të çështjes në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, ku komunikimet e zbardhura në aplikacionin e koduar Sky ECC nxorën në pah marrëdhënien e tij me biznesmenin Pëllumb Gjoka.

Në qendër të hetimeve ishin mesazhet përmes të cilave Bistri dyshohet se informonte Gjokën për operacionet e policisë, kontrollet ndaj lokaleve të lojërave të fatit dhe lëvizjet e strukturave që ai drejtonte. Një prej komunikimeve më të rënda lidhet me një operacion kundër kazinove të paligjshme në shkurt të vitit 2020, kur ish-zyrtari i policisë e paralajmëronte biznesmenin të largohej dhe të fikte telefonin.

Apeli përmbys vendimin, Bistri rikthehet pas hekurave

Vendimi i Apelit përmbys atë të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, e cila në nëntor 2025 e kishte dënuar Bistrin vetëm për zbulim të akteve ose të dhënave sekrete, duke e shpallur të pafajshëm për korrupsion dhe pastrim parash.

Në atë kohë, dënimi prej tre vitesh ishte reduktuar në dy vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Meqenëse Bistri kishte qëndruar më shumë se dy vite në paraburgim, gjykata kishte urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm, si dhe kishte hequr sekuestron mbi pasuritë.

Apeli ka arritur në një përfundim tjetër, duke e shpallur fajtor edhe për dy veprat penale për të cilat ishte liruar më parë. Fillimisht, trupi gjykues, i përbërë nga Dhimitër Lara, Daniela Shirka dhe Engert Pëllumbi, caktoi 11 vite burgim, dënim që pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 7 vite e 4 muaj.

Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi konfiskimin e tre apartamenteve, dy bizneseve dhe pasurive financiare, me një vlerë që raportohet të arrijë rreth 1.3 milionë euro.

Mesazhet në Sky ECC: “Ik futu gjëkundi dhe fike telefonin”

Historia e çështjes nisi më 27 korrik 2023, kur SPAK ndërmori operacionin “Metamorfoza”, duke goditur një rrjet të dyshuar kriminal ku përfshiheshin biznesmenë, zyrtarë policie, prokurorë dhe persona të lidhur me krimin e organizuar.

Në kuadër të operacionit u arrestuan edhe Oltion Bistri, biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-prokurori Xhevahir Lita, Edmond Preka dhe Astmer Bilali.

Pjesë e rëndësishme e dosjes ishin komunikimet e Bistrit me Gjokën në aplikacionin Sky ECC, kryesisht gjatë periudhës nëntor 2019 – prill 2020, kur ish-zyrtari drejtonte Komisariatin Nr. 2 në Tiranë.

Sipas hetimeve të SPAK, Bistri dyshohet se kishte përdorur pozicionin e tij për t’i krijuar lehtësi Gjokës, i cili ushtronte aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit në territorin nën juridiksionin e komisariatit që ai drejtonte.

Një nga episodet më domethënëse lidhet me ndërhyrjen policore të planifikuar në shkurt 2020. Më 18 shkurt, dy ditë përpara operacionit, Bistri e paralajmëronte Gjokën që të mos hapte ambientin dhe të mos tregonte se kishte marrë informacion.

Më 20 shkurt, ditën e ndërhyrjes, ish-drejtuesi i policisë e njoftonte sërish biznesmenin, duke i kërkuar të largohej nga qarkullimi dhe të fikte telefonin.

“Tani do fillojë për pak, ik futu gjëkundi se s’i dihet, mos rri në qarkullim dhe fike telefonin”, i shkruante Bistri.

Në vijim të bisedës, ai i shpjegonte se nuk kishte ende listën e plotë të emrave dhe ambienteve që do të kontrolloheshin. Në të njëjtën kohë, pretendonte se drejtuesi i policisë do ta hiqte pikën e Gjokës nga lista e kontrolleve.

Në komunikime përmendej edhe Rebani Jaupi, në atë kohë drejtor i Policisë së Tiranës. Bistri i referohej komunikimeve me të lidhur me çështjen e kazinosë, ndërsa këto biseda u përfshinë më pas në materialet hetimore.

Ndërhyrjet për kazinotë dhe përmendja e 1.500 eurove

Komunikimet mes dy personave nuk kufizoheshin vetëm te informacionet për operacionet policore. Në biseda të tjera, Bistri i tregonte Gjokës se kishte ndërhyrë për të mos lejuar mbylljen e aktivitetit të tij, pavarësisht kërkesave që, sipas mesazheve, vinin nga drejtues të tjerë të policisë.

Në një prej komunikimeve përmendej edhe një person me emrin Ardi, për të cilin në raportimet mediatike është ngritur dyshimi se mund të bëhej fjalë për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.

Bistri i shprehte Gjokës se kishte dhënë fjalën për të mos ia mbyllur aktivitetin dhe se nuk kishte ndërmend të tërhiqej nga premtimi. Në një tjetër mesazh përmendte shumën prej 1.500 eurosh, duke pretenduar se ndërhyrja nuk ishte bërë për para, por për shkak të marrëdhënies personale mes tyre.

Një tjetër episod i rëndësishëm daton në fund të dhjetorit 2019. Në këtë komunikim, Bistri i tregonte biznesmenit se efektivët kishin shkuar për kontroll pas denoncimeve për një kazino, por nuk kishin konstatuar shkelje. Nga përmbajtja e bisedës, sipas materialeve hetimore, ngriheshin dyshime se kontrolli ishte kryer në mënyrë formale dhe aktiviteti ishte lejuar të vijonte.

Ish-zyrtari dyshohet se i përcillte Gjokës edhe informacione për denoncimet ndaj ambienteve të lojërave të fatit dhe verifikimet që zhvilloheshin brenda policisë. Në një rast, ai kërkonte të identifikohej personi që kishte dhënë informacion për një ambient ku zhvillohej aktivitet i paligjshëm.

Më 23 shkurt 2020, Bistri i tregonte biznesmenit se ishte thirrur nga eprorët dhe se një prej pikave të lojërave të fatit nuk mund të vazhdonte më aktivitetin. Në këtë bisedë përmendte edhe interesimin e ministrit të atëhershëm të Brendshëm, Sandër Lleshi, ndërsa i kërkonte Gjokës të mos komunikonte me persona të tjerë dhe të takoheshin në një vend të caktuar në Tiranë.

SPAK sekuestroi pasuritë, Apeli urdhëron konfiskimin

Paralelisht me hetimin për korrupsionin dhe zbulimin e informacioneve sekrete, SPAK nisi verifikimet për pasurinë e ish-drejtuesit të policisë dhe familjarëve të tij.

Më 31 janar 2024, Prokuroria e Posaçme ndërmori sekuestrimin e pasurive të lidhura me Bistrin, pas identifikimit të transaksioneve financiare të dyshimta që shtriheshin ndër vite, duke nisur nga viti 2015. Në atë kohë, vlera e pasurive të sekuestruara u raportua rreth një milion euro.

Megjithatë, vendimi i Shkallës së Parë në nëntor 2025, që e shpalli të pafajshëm për korrupsion dhe pastrim parash, solli edhe heqjen e sekuestros. Me vendimin e ri, Apeli ka ndryshuar këtë qëndrim dhe ka urdhëruar konfiskimin e tre apartamenteve, dy bizneseve dhe pasurive financiare.

Ndërkohë, për të pandehurit e tjerë të kësaj pjese të dosjes “Metamorfoza”, Apeli ka lënë në fuqi dënimet e mëparshme. Edmond Preka është dënuar me 7 vite burg, Astmer Bilali me 5 vite e 8 muaj, Behar Bajri me 8 vite e 8 muaj, ndërsa ish-prokurori Xhevahir Lita me 3 vite e 4 muaj burgim.

Vendimi për Bistrin shënon një kthesë të rëndësishme në një prej çështjeve që ekspozuan dyshimet për lidhje mes zyrtarëve të policisë dhe personave të botës së krimit, me komunikimet e Sky ECC si një nga provat kryesore të hetimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.