Sipas sekretarit të jashtëm britanik Ed Miliband, ndryshimet klimatike janë kthyer në një prej rreziqeve më serioze për sigurinë kombëtare në nivel global.
Në një intervistë për gazetën britanike “The Guardian”, para fjalimit të tij në samitin COP31 në Antalia të Turqisë, Miliband tha se çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare duhet të marrin vend qendror në përpjekjet ndërkombëtare për të përballuar ndryshimet klimatike. Ai vuri në dukje se efektet e ngrohjes globale, përfshirë mungesat ushqimore, goditjet ekonomike, migracionin dhe konfliktet, po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
Të lidhura
None found
“Siguria kombëtare është fronti i radhës në luftën për veprim klimatik. Skenarët që dikur dukeshin si fantashkencë sot shfaqen rregullisht në lajmet e përditshme. Duhet ta pranojmë se përkeqësimi i klimës është ndër kërcënimet më të mëdha për sigurinë kombëtare me të cilat përballemi. Siguria ushqimore, rreziqet ndaj infrastrukturës dhe lëvizjet e popullsisë [po vijnë si pasojë e krizës klimatike]”, u shpreh Miliband.
Ai paralajmëroi se përkeqësimi i klimës rrezikon furnizimin me ushqime, infrastrukturën dhe lëvizjet e popullsisë. Sipas tij, edhe shtetet që nuk veprojnë për të pakësuar emetimet e gazrave serrë po vënë në rrezik sigurinë e tyre kombëtare.
Në fjalimin e planifikuar për COP31, Miliband pritet të kërkojë përballjen me pasojat e mosuljes së emetimeve të karbonit gjatë tri dekadave të fundit. Ai do të paralajmërojë se miliarda njerëz do të përballen me vështirësi dhe pasiguri.
Ministri britanik do të ngrejë gjithashtu shqetësimin për varësinë nga lëndët djegëse fosile. Konfliktet ndërkombëtare dhe pasiguria gjeopolitike, tha ai, kanë treguar se mbështetja te nafta dhe gazi mund të sjellë tronditje të mëdha ekonomike, çmime më të larta të energjisë dhe inflacion.
“Në një epokë të re pasigurie globale, tronditjet e shkaktuara nga karburantet fosile janë bërë tashmë normë”, deklaroi ai për “The Guardian”.
Miliband pritet të bëjë thirrje për më shumë investime në energjinë e pastër, përdorim më të gjerë të saj në transport dhe ngrohje, ulje të emetimeve të metanit, si dhe ruajtje e zgjerim të sipërfaqeve pyjore.
Një prej temave të fjalimit të tij do të jetë edhe tejkalimi i kufirit prej 1.5 gradësh Celsius të ngrohjes globale, krahasuar me nivelet paraindustriale. Ky është një nga objektivat kryesorë të Marrëveshjes së Parisit.
Sipas paralajmërimeve të Miliband, tejkalimi i këtij kufiri kërkon veprime më të fuqishme për të frenuar ngrohjen dhe për t’i kthyer temperaturat në nivele më të sigurta gjatë dekadave të ardhshme.
Ndërkohë, politikat energjetike të qeverisë britanike janë kritikuar nga aktivistët e klimës. Ata kundërshtojnë planet për lehtësimin e detyrimeve ndaj prodhuesve të automjeteve elektrike dhe miratimin e projekteve të reja të naftës e gazit në Detin e Veriut.
COP31 po mbahet në Antalia të Turqisë, ku udhëheqës nga e gjithë bota dhe përfaqësues qeverish po diskutojnë sfidat klimatike dhe masat për të përballuar pasojat e ngrohjes globale.







