AKTUALITET

Kufiri i diplomacisë personale të z. Rama

19:05 - 11.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Veton Surroi

Shqipëria duhet ta rifitojë politikën e vet të jashtme dhe të mbrojë interesat e veta. Hapi i parë është që politika e jashtme t’i kthehet vendit nga uzurpuesi i saj.

1. Kryeministri Rama mund të ketë besuar se politika e jashtme e Shqipërisë nuk duhet të jetë e zbatuar për t’ua bërë qejfin të tjerëve – për shembull BE-së – por për t’i përmbushur interesat e vendit. Dhe, në thelb ka të drejtë, ngase politika e jashtme duhet jo vetëm të zhvillohet për të mirën e vendit por edhe duhet të derivojë nga e brendshmja. Por, mu këtu qëndron problemi i veprimeve të politikës së jashtme të Shqipërisë nga kryeministri Rama, i cili e ka personalizuar politikën e brendshme dhe të njëjtën mënyrë qeverisjeje e ka bartur në politikën e jashtme.

Të marrim Izraelin. Kryeministri me të drejtë krenohet se Shqipëria është vendi i vetëm evropian në të cilin kanë jetuar më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore se ç’kishte në fillim të saj. Shqipëria dhe shqiptarët pra kanë një marrëdhënie të veçantë me hebrenjtë si popull i përndjekur dhe me Izraelin, si shtet i krijuar për të strehuar të mbijetuarit e Holokaustit. Por, kjo nuk nënkupton përkrahje për Izraelin e sotëm, ushtria e të cilit ka ushtruar gjenocid në Gaza dhe ushtria e të cilit përkrah spastrimin etnik të palestinezëve në Bregun Perëndimor. Shqipëria nuk kishte apo ka kurrfarë interesi moral, politik apo material për ta përkrahur një pushtet që është përgjegjës për krime kundër njerëzimit.

Megjithatë, ky mund të jetë interes i kryeministrit Rama dhe njëra prej arsyeve të mundshme mund të jetë besimi se përkrahja e pakushtëzuar Izraelit mund ta afronte kryeministrin Rama politikës së përkrahjes të pakushtëzuar amerikane për Izraelin dhe kështu vetë presidentit Trump.

Ky ishte keqkuptim ngase përkrahja e pakushtëzuar amerikane për veprimet e Izraelit pas 7 tetorit 2023 ishte politikë e presidentit Biden, e cila u vazhdua nga administrata e ardhshme. Dhe sipas zv.presidentit Vance, kjo politikë ka marrë dënimin politik në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA. Në këto zgjedhje, shumica e votuesve dënuan këtë politikë; 72 për qind e votuesve hebrenj amerikanë përkrahën kandidatët e Partisë Demokratike.

Presidenti Trump shpalli se në janar do të ndalet përkrahja e pakushtëzuar ushtarake Izraelit.
Në listën e përkrahësve të parezervë të Izraelit të Netanyahus mbetën Viktor Orban, ish-kryeministër i Hungarisë, A.Vuçiq, ish-prijës i Serbisë dhe Edi Rama.

2. Personalizimi i politikës së jashtme e ka vënë Shqipërinë dhe kryeministrin e saj në situata jo shumë komode. Kryeministri Rama gaboi kur para zgjedhjeve presidenciale më 2016 ndërhyri në punët e brendshme të SHBA-së, duke përshkruar për CNN se “Amerika është ‘qyteti i shndritshëm mbi kodër’, dhe synimet që po dëgjojmë nga Donald Trump janë me të vërtetë frikësuese dhe po cenojnë realisht atë çka Amerika është në sytë tanë”. I pyetur se çka do të ndodhë nëse zgjidhet kandidati republikan D.Trump, z. Rama u përgjigj  “Zoti na ruajt, mendoj se do të dëmtonte shumë Amerikën dhe do të dëmtonte shumë botën demokratike, sepse ai në fund do të duhet të bëjë të paktën disa nga gjërat që thotë se do të bëjë dhe atëherë, natyrisht, kjo do të jetë shumë, shumë e dëmshme”.

Populli amerikan e zgjodhi presidentin Trump dy herë dhe Shqipëria nuk kishte kurrfarë interesi (e as të drejte) të sugjerojë se kush mund të jetë kandidat më i mirë.

Motivet e kryeministrit ende nuk janë shpjeguar, por mbase do të ishte afër së vërtetës interpretimi se prej këtij gafi diplomatik kryeministri Rama mund të ketë ndier nevojën që të dëshmojë se e përkrah presidentin Trump, dhe në këtë nevojë është shfrytëzuar afiniteti i plotë pro-amerikan i shqiptarëve gjithandej, interesat e ndryshme familjare e të biznesit dhe një lloj ligjërimi i ri i kryeministrit që tash shpjegonte benefitet e presidencës Trump për botën.

Problem, natyrisht, mbeti personalizimi. Përcaktimin e natyrshëm të Shqipërisë për të vënë në dispozicion trupat e veta në operacione paqeruajtëse të ardhshme si në atë të planifikuar për Gaza, kryeministri e shfrytëzoi që në mbledhjen themeluese të Bordit të paqes të promovojë një agjendë që nuk ishte as e Shqipërisë e as e Kosovës në emër të së cilës fliste.

Kryeministri Rama deklaroi se “një padrejtësi të madhe që po ndodh në Europë. ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe udhëheqësit e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen peng nga një drejtësi e çuditshme ndërkombëtare në Hagë”. Pasi shpjegoi se z. Thaçi mbahej në burg, sepse ishte nisur të nënshkruajë një marrëveshje me z. Vuçiq në zyrën e z. Trump, pa përmendur se ajo marrëveshje përfshinte ndarjen territoriale të Kosovës (që nuk ishte kërkesë e as sugjerim amerikan) ai përfundoi fjalimin me: “Kjo nuk është drejtësi, është turp. U bëj thirrje shteteve demokratike dhe juve zoti President që të ndërmerrni hapa konkretë dhe të ndërhyni para se gjëra më të këqija të ndodhin dhe para se të jetë tepër vonë”.

E përkthyer në fjalor të thjeshtë teknik kjo ishte thirrje e Shqipërisë që z. Trump dhe “shtetet demokratike” të ndërhyjnë në një gjykim dhe të lirojnë të akuzuarin, diçka që është aq larg normave bazike sa të mos jetë dëgjuar ndonjëherë në publik nga ndonjë shef shteti a qeverie.
Nëse z. Rama besonte në parimësinë e kërkesës së bërë, ka mundur ta dëshmonte këtë duke i liruar paraprakisht nga paraburgimi dhe ndjekja penale ish-presidentin e Shqipërisë, Meta dhe kryebashkiakun e Tiranës, Veliaj; që të dytë kanë rreth dy vjet stazh paraburgimi.

3. Në raport me Vuçiqin dhe Kosovën, kryeministri Rama ka përsëritur të njëjtin gabim.

Ai ka mbajtur anën e presidentit Vuçiq me “Ballkanin e Hapur”, ndarjen territoriale të Kosovës, vendosjen e autonomisë territoriale serbe në Republikën e Kosovës dhe përgjatë eskalimit të dhunës në pjesën veriore të vendit, vendosjen e këtij territori nën protektorat të veçantë të NATO-s.
Është vështirë të kuptohet se çfarë mund të ishte interesi i Shqipërisë për destabilizimin e një shteti fqinj, aq më pak të një shteti të përbërë në shumicë nga e njëjta etni. Sërish, në mungesë të një interesi të identifikuar të shtetit, mbetet interesi personal i z. Rama, dhe kjo çështje përderisa të mos shpjegohet nga ai vetë apo nga gërmimet e dokumenteve ndonjë ditë, mbetet e panjohur.

E vetmja gjë që është e dukshme nga faktet është gatishmëria e z. Rama për të përkrahur interesat e z. Vuçiq, personale apo të shtetit të tij, pa ndonjë benefit evident për Shqipërinë. Këtë ai e manifestoi jo vetëm në rastin e Kosovës, por edhe me shkrimin e një editoriali të përbashkët me presidentin e atëhershëm, Vuçiq, për një modalitet të ri të integrimit në BE që nuk do t’u jepte shteteve të reja të drejta të njëjta si shtetet tashmë anëtare.

Këtë shkrim z. Rama e bëri ndërsa Shqipëria ishte pothuajse shumë afër Malit të Zi në ritmin e anëtarësimit në BE, ndërsa Serbia gjithnjë e më afër Gjeorgjisë, pra krejtësisht larg. Sot, Mali i Zi është rrugës që të përmbyllë negociatat e anëtarësimit në verën e vitit 2027, A. Vuçiq humbi në mënyrë spektakolare nga një listë që udhëhoqi kryengritjen kundër tij për dy vjet rresht e Shqipërisë i ka mbetur në dorë një editorial i pavlerë së bashku me një sërë vendimesh të gabuara ndaj Kosovës dhe një krizë të brendshme, e cila po e deligjitimon natyrën e pushtetit në vend.

4. Më duket që z. Rama dhe Shqipëria mund të nxjerrin dy mësime nga një politikë e jashtme konsistente në jokonsistencë.

I pari është depersonalizimi. Politika e jashtme e Shqipërisë nuk mund të varet nga teket personale të udhëheqësit të saj dhe për më tepër nuk mund të lidhet me personalitetet e shteteve të tjera. Shqipëria ka interes të zhvillojë marrëdhënie të ngushta me SHBA-në që ka këtë apo atë president, këtë apo atë përbërje udhëheqëse në Kongres. Marrëdhëniet me Serbinë nuk mund të jenë të ndërtuara mbi relacionin personal me një autokrat, e as ato me Izraelin me një përgjegjës për krime kundër njerëzimit. Kosova nuk është monedhë kusuri e kryeministrit të Shqipërisë, është shteti fqinj, me të cilin Shqipëria ka lidhjet më të ngushta njerëzore.

I dyti ka të bëjë me mënyrën si ushtrohet pushteti në Shqipëri. Edhe pa synimin e anëtarësimit në BE, Shqipëria ka arsye ta ndërtojë politikën e jashtme mbi të njëjtat parime demokratike që duhet të vlejnë brenda vendit. Për z. Rama kjo do të thotë t’ia njohë kundërshtimit publik dhe institucioneve në Shqipëri fuqinë për t’ia korrigjuar vendimet qeverisë së tij. Ka vetëm një mënyrë për t’iu përshtatur valëve të demokracisë, dhe ajo është të jesh pjesë e tyre


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.