Shqipëria ka shprehur solidaritetin e plotë me Francën pas sulmeve kibernetike shkatërruese, për të cilat Parisi ka akuzuar direkt Gardën Revolucionare Islamike të Iranit.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, kryediplomati Ferit Hoxha Shqipëria kujton sulmet kibernetike të vitit 2022 ndaj vendit tonë dhe thekson se sulme të tilla nuk mund të tolerohen apo të mbeten pa pasoja për autorët.
"Shqipëria shpreh solidaritetin e saj të plotë me Francën, pas sulmeve kibernetike shkatërruese dhe në një shkallë të paprecedentë, të kryera nga një njësi ofensive kibernetike e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit. Shqipëria e di shumë mirë, nga përvoja e saj, se me çfarë po përballet sot Franca.
Në vitin 2022, vendi ynë u bë vetë objektiv i operacioneve kibernetike brutale dhe shkatërruese, të ndërmarra nga aktorë shtetërorë iranianë. Sulmet kibernetike të sponsorizuara apo mbështetura nga shtetet nuk mund të normalizohen, të tolerohen apo të shndërrohen në një instrument kërcënimi, dhe të mbeten pa pasoja për autorët e tyre.
Një sulm ndaj infrastrukturës kritike është një sulm ndaj vetë funksionimit dhe sigurisë së një shoqërie, pavarësisht nëse kryhet me eksploziv apo me nje kod keqdashës.
Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar, të forcojë qëndrueshmërinë e saj kolektive dhe të sigurojë që përgjegjësit për akte të tilla të japin llogari" shkroi Hoxha në X.
Franca ka akuzuar Gardën Revolucionare të Iranit se qëndron pas sulmeve kibernetike që goditën qindra supermarkete, duke shkaktuar prishjen e produkteve ushqimore me vlerë miliona euro. Sulmet nisën më 11 tetor, kur hakerët morën kontrollin e sistemeve që rregullojnë temperaturat e frigoriferëve dhe ngrirësve. Në disa dyqane, temperaturat raportohet se arritën deri në 50 gradë Celsius gjatë natës.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, ka paralajmëruar sanksione në nivel europian ndaj përgjegjësve. Ndërkohë, Prokuroria e Parisit ka hapur hetim ndaj drejtuesit të një njësie kibernetike të lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit dhe dy zëvendësve të tij.











Komente
Komento