Sfida me Finlandën/ Maran: Koha të shpërblejmë tifozët
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka dalë sot në konferencën për shtyp në prag të sfidës kundër Finlandës, e vlefshme për Ligën e Kombeve, që do të luhet më 12 nëntor në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Tekniku italian e konsideron këtë një përballje të rëndësishme për kuqezinjtë, të cilët synojnë të lënë pas humbjen në Helsinki dhe të rikthehen te rezultatet pozitive për të vazhduar luftën për objektivat në grupin C1.
Gjatë fjalës së tij, Maran u ndal te pritshmëritë për ndeshjen, duke theksuar se shpreson të shohë futbollistët shqiptarë të gjejnë rrugën e rrjetës, por mbi të gjitha të shpërblejnë mbështetjen e tifozëve.
“Shpresojmë të gjithë që lojtarët tanë të shënojnë gola. Këtë e dëshirojnë futbollistët, unë dhe padyshim edhe tifozët. Si skuadër jemi të përgatitur dhe të përkushtuar për t’ua kthyer mbështetjen që na japin. Sa herë vijnë këtu, lojtarët kanë dëshirë të japin maksimumin. Duhet ta justifikojmë mbështetjen e tifozëve në fushë, duke luajtur me përgjegjësi të madhe, pasi përfaqësojmë diçka shumë të rëndësishme dhe jemi të gjithë të vetëdijshëm për këtë”, u shpreh Maran.
Më tej, trajneri kuqezi foli edhe për mënyrën se si Shqipëria synon ta zhvillojë takimin, duke nënvizuar rëndësinë e shënimit të golit të parë dhe shmangies së gabimeve në mbrojtje.
“Ne hyjmë gjithmonë në fushë me objektivin për të shënuar të parët dhe për të pësuar sa më pak gola. Sigurisht, ndeshja me San Marinon e zbehu disi punën që kishim bërë, por në Helsinki treguam se jemi në gjendje të kontrollojmë lojën, të krijojmë raste dhe të shënojmë. Edhe pse luajtëm me një lojtar më pak, zhvilluam një paraqitje të mirë. Jam i bindur se mund të përsërisim atë që dimë të bëjmë dhe besoj se do ta dëshmojmë këtë në fushë”, deklaroi tekniku italian.
Shqipëria kërkon kështu një reagim përpara tifozëve të saj, në një ndeshje ku pikët janë të rëndësishme për vazhdimësinë në Ligën e Kombeve.




