Në një kohë kur dialogu është kthyer në një nga temat e diskutimit tw qeverisw pas protestave, ministri Blendi Gonxhja ka zhvilluar një bashkëbisedim konkret me të rinjtë e Këshillit Kombëtar të Rinisë. Takimi nuk është kufizuar vetëm te diskutimi i çështjeve si punësimi, meritokracia dhe besimi te institucionet, por ka përfshirë edhe pyetje të vështira, kritika dhe mendime të ndryshme. Për Gonxhjen, pikërisht këtu qëndron vlera e dialogut: të dëgjosh edhe ata që nuk bien dakord me ty, të reflektosh dhe të mos e shohësh kundërshtimin si armiqësi. Në mesazhin e tij pas takimit, ministri thekson se mes institucioneve dhe qytetarëve nuk duhet të ketë mure apo ndasi.
"Sot, në mbledhjen e zgjeruar të Këshillit Kombëtar të Rinisë, patëm një bashkëbisedim të hapur, të sinqertë dhe pa dorashka me të rinjtë. Një takim ku, përtej çështjeve të diskutuara, spikatën formimi, artikulimi, mendimi kritik dhe ndjeshmëria e një brezi që kërkon të dëgjohet, të përfshihet dhe të kontribuojë në të ardhmen e vendit.
Folëm për zhvillimet e fundit, besimin te institucionet, punësimin, meritokracinë në administratën publike, platformën “Fol me Kryeministrin”, mbështetjen për startupet dhe nismat rinore. Nuk munguan pyetjet e vështira, kritikat, skepticizmi, këndvështrimet e ndryshme si dhe kërkesa për t’u informuar më gjerë për politikat dhe programet institucionale.
Por dialogu nuk ka vlerë vetëm kur biem dakord. Përkundrazi, ai merr kuptimin e tij më të thellë kur dimë të dëgjojmë edhe atë që na vë në diskutim, kur kemi përulësinë për të reflektuar dhe dinjitetin për t’u përgjigjur me sinqeritet, argumente dhe përgjegjësi.
Të rinjtë nuk janë përballë nesh. Ata janë ne. Janë pjesë e së njëjtës shoqëri, e së njëjtës përpjekje dhe e së njëjtës shpresë për një Shqipëri më të mirë. Nuk duhet të ketë mure, hone apo ndasi mes brezave, mes institucioneve dhe qytetarëve, mes atyre që vendosin dhe atyre që kërkojnë me të drejtë të jenë pjesë e vendimmarrjes.
Besoj se politika dhe institucionet duhet të kultivojnë gjithnjë e më shumë gjuhën e artë të mirëkuptimit dhe kompromisit, thjeshtësinë për të pranuar se jo çdo përgjigje është e mjaftueshme dhe pjekurinë për të reflektuar mbi shqetësimet, pritshmëritë dhe ndjeshmëritë e çdo komuniteti, veçanërisht të brezit të ri.
Të dëgjosh nuk do të thotë të heqësh dorë nga bindjet, sikurse të kundërshtosh nuk do të thotë të jesh kundërshtar. Respekti i ndërsjellë është pikërisht ura që na lejon të ecim përpara, edhe kur nuk ndajmë të njëjtin mendim.
E ardhmja nuk ndërtohet duke thelluar distancat mes nesh, por duke i kapërcyer ato. Me më shumë dëgjim, më pak paragjykim, më shumë reflektim dhe me bindjen se, pavarësisht dallimeve, na bashkon shumë më tepër sesa na ndan" shkruan Gonxhja.









Komente
Komento