Aktualitet

Policia shqiptare dhe ajo italiane forcojnë bashkëpunimin kundër krimit, Hita takon homologun Pisani në Romë!

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, është takuar në Romë me homologun italian, Vittorio Pisani, për të forcuar bashkëpunimin mes dy policive në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe krimeve kibernetike.

Gjatë takimit, dy drejtuesit vlerësuan punën e skuadrave të përbashkëta hetimore dhe ranë dakord të intensifikojnë shkëmbimin e informacionit, koordinimin e hetimeve dhe operacionet e përbashkëta kundër organizatave kriminale që veprojnë përtej kufijve.

“Një ndër prioritetet e mia kryesore në krye të Policisë së Shtetit është thellimi i bashkëpunimit me partnerët, veçanërisht me partnerët strategjikë, siç është edhe Italia. Jam i vendosur të punojmë së bashku, duke rritur efikasitetin e partneritetit tonë për t’iu përgjigjur formave të reja të kriminalitetit dhe për të qenë gjithmonë një hap përpara organizatave kriminale”, tha Hita.

Nga ana e tij, drejtori i Policisë Italiane, Vittorio Pisani, garantoi vijimin e mbështetjes për Policinë Shqiptare, përfshirë monitorimin ajror kundër kultivimit të kanabisit.

LEXO EDHE: Turizmi apo dhomat plot me euro?! Monedha europiane në tregun vendas ka humbur 35% të vlerës që nga viti 2016

“Të intensifikojmë luftën e përbashkët kundër grupeve kriminale, trafiqeve të paligjshme, krimeve kibernetike dhe, padiskutim, mbështetjen e përvitshme për monitorimin ajror për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike”, deklaroi Pisani.
Në takim u diskutua edhe rritja e kapaciteteve të inteligjencës policore, lufta kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe mbrojtja nga kërcënimet kriminale në hapësirën digjitale.

Dy policitë do të vijojnë bashkëpunimin për identifikimin dhe lokalizimin e personave në kërkim, shkëmbimin e informacionit kriminal dhe zhvillimin e hetimeve e operacioneve të përbashkëta.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.