Pas disa shtyrjeve, Grand Theft Auto VI pritet të publikohet më 19 nëntor dhe tashmë ka shënuar një rekord si loja më e paraporositur e të gjitha kohërave në Microsoft Store, që nga hapja e porosive paraprake në qershor.

Microsoft ka njoftuar se loja do të mund të transmetohet përmes shërbimit Xbox Cloud Gaming që nga dita e parë e lansimit. Kjo do t’u mundësojë përdoruesve ta luajnë përmes transmetimit në Xbox Series X, Xbox Series S, madje edhe në konsolën më të vjetër Xbox One.


Transmetimi do të nisë më 19 nëntor, në orën 01:00 sipas kohës lindore amerikane (ET). Versioni përmes cloud do të përdorë cilësimet grafike të Xbox Series S, transmeton Telegrafi.

Ndërkohë, pronarët e Xbox Series X dhe Series S do të mund ta luajnë lojën drejtpërdrejt në konsolat e tyre. Parainstalimi tashmë është i mundur në të dyja pajisjet, ndërsa Microsoft po u rekomandon lojtarëve ta shkarkojnë paraprakisht për shkak të kërkesës së lartë.

Nga 11 nëntori, përdoruesit në tregjet ku shërbimi mbështetet do të kenë gjithashtu mundësinë të blejnë kohë për lojëra përmes cloud, pa pasur nevojë për një abonim në Game Pass. Megjithatë, GTA VI do të duhet të blihet veçmas për të mundësuar luajtjen e saj.

Microsoft ka bërë të ditur se në muajt e ardhshëm do të shtojë në Xbox Cloud Gaming edhe lojëra të tjera të Rockstar Games, përfshirë GTA V dhe Red Dead Redemption 2.

Disponueshmëria e lojërave, mundësitë e blerjes, pajisjet e mbështetura dhe veçoritë e shërbimit mund të ndryshojnë nga një treg në tjetrin. /Telegrafi/