Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ka dhënë sqarime në Komisionin e Ekonomisë lidhur me situatën e aeroportit të Vlorës, projekti i të cilit është përfshirë në një konflikt ligjor dhe ka përfunduar në arbitrazh, pas padisë së kompanisë VIA ndaj qeverisë.
Gjatë diskutimeve, deputeti demokrat Igli Cara kërkoi të dinte se kush po e menaxhon aktualisht aeroportin, nëse punimet vijojnë dhe nëse ka hyrë në fuqi zgjidhja e kontratës koncesionare.
Në përgjigjen e tij, Karakaçi deklaroi se kontrata është zgjidhur në fund të shtatorit, ndërsa bëri të ditur se në ditët në vijim do të paraqiten në Kuvend masat që qeveria synon të marrë për këtë projekt.
“Aeroporti i Vlorës duhet të ishte funksional në shkurt 2026. Është një infrastrukturë publike. Koncesionarët, për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre, kanë shkaktuar vonesa në projekt. Në fund të shkurtit të vitit 2026 nuk duhet të kishte përfunduar vetëm ndërtimi, por aeroporti duhej të ishte edhe funksional. Kjo nuk ndodhi”, u shpreh ministri.
Karakaçi sqaroi se Ministria e Infrastrukturës kishte të drejtën për të zgjidhur kontratën që në muajin mars, por fillimisht u kërkua që ortakët të zgjidhnin mosmarrëveshjet mes tyre. Në gusht, për shkak të mungesës së sigurisë për vijimin e punimeve, ministria nisi procedurat për zgjidhjen e kontratës.
“Arbitri i përkohshëm e trajtoi me shumë kujdes çështjen dhe vlerësoi se MIE ishte në të drejtën e saj për ta zgjidhur kontratën. Në fund të shtatorit ne e kemi të zgjidhur këtë kontratë koncesionare. Në ditët në vijim do të vijnë disa masa në Parlament sa i takon këtij aeroporti”, deklaroi Karakaçi.
Konflikti mes ortakëve të kompanisë koncesionare ishte bërë publik edhe më herët. Më 29 maj, ministri Karakaçi u kishte dhënë një ultimatum 30-ditor dy kompanive, MABCO-s së Behgjet Pacollit dhe 2A Group-it të Valon Ademit, për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre dhe për të përfunduar punimet.
Në letrën e atëhershme, qeveria theksonte se konfliktet mes ortakëve nuk kishin lidhje me autoritetin kontraktor dhe paralajmëronte zgjidhjen e kontratës për shkak të mosrespektimit të afateve të përfundimit të punimeve.
Sipas afateve të përcaktuara, aeroporti duhej të niste operimet në shkurt 2026, ndërsa afati maksimal ishte muaji maj. Megjithatë, për shkak të përplasjes mes ortakëve dhe betejës së tyre gjyqësore, aeroporti nuk është vënë në funksion dhe punimet nuk janë përfunduar.