Një shqiptar 38-vjeçar dhe një shtetase greke 34-vjeçare janë arrestuar në Kostur të Greqisë, pasi u kapën duke transportuar 18.8 kilogramë marijuanë në automjetin e tyre.
Operacioni u zhvillua mbrëmjen e kaluar nga oficerët e Departamentit të Narkotikëve në Kostur, pas shfrytëzimit të informacioneve për lëvizje të dyshimta të një automjeti privat në zonë.
Gjatë kontrollit të makinës, policia zbuloi dy çanta udhëtimi, brenda të cilave ndodheshin 18 pako me marijuanë, me peshë totale bruto 18 kilogramë e 800 gramë.
Përveç lëndës narkotike, autoritetet sekuestruan edhe automjetin që dyshohet se përdorej për transportin e drogës, dy telefona celularë dhe dy karta SIM.
Hetimet paraprake po kryhen nga Departamenti i Narkotikëve në Kostur. Dy të arrestuarit, ndaj të cilëve është ngritur çështje penale, pritet të dalin përpara Prokurorit të Gjykatës Penale të Kosturit.
Sipas të dhënave të raportuara, gjatë 15 muajve të fundit policia greke ka sekuestruar mbi 1.3 ton marijuanë në disa zona të vendit, përfshirë Igumenicën, Janinën, Kosturin, Follorinën dhe Selanikun.
Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhet me trafikun nga Saranda drejt Igumenicës, linjë nga e cila raportohet se është transportuar pothuajse gjysma e sasisë së drogës së kapur në këto zona.
Në një prej operacioneve në Igumenicë, autoritetet greke kanë sekuestruar edhe një skaf të ngarkuar me lëndë narkotike.

