Pedagogu dhe aktivisti Ermal Hasimja, i ftuar këtë të mërkurë në emisionin ”Koha Jonë-Debat” nga Nikoll Lesi, deklaroi se zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, më 9 maj 2027, nuk do të jenë thjesht administrative, por një përballje politike mes opozitës dhe kryeministrit Edi Rama.
“Qytetarët do të votojnë kundër Ramës ose pro Ramës”, u shpreh Hasimja, duke theksuar se opozitës i duhet një kandidat i përbashkët që të përfaqësojë këtë betejë politike. I pyetur nëse do të kandidonte vetë për Bashkinë e Tiranës, Hasimja tha se e kishte menduar këtë mundësi, por nuk dëshiron të bëhet një kandidat i pestë apo i gjashtë që do të thellonte përçarjen e opozitës.
Sa i përket dyshimeve se parti të reja opozitare mund të veprojnë në interes të Ramës, ai deklaroi: “Unë nuk e besoj që janë të nxitura, të paguara apo të futur nga Rama”. Sipas Hasimjes, fitorja e opozitës në Tiranë mund të shkaktojë një krizë të mazhorancës dhe të hapë rrugën për zgjedhje të parakohshme.
Pjesë nga biseda
Lesi: Pse nuk kandidoni nga Protesta për Bashkinë e Tiranës?
Hasimja: Për çfarë i duhet opozitës, të gjithë grupit të madh anti-Ramë, antiqeverisje, gara e Tiranës? A i duhet thjesht për të hyrë dhe për të marrë votat dhe për të mbushur gropat e Tiranës, për të pastruar plehrat dhe për të mbajtur trafikun? Apo i duhet për diçka tjetër më të rëndësishme?
Lesi: Nëqoftëse fiton opozita, protesta e gjithë bashkë, qeverisja dhe mazhoranca ka mbaruar dhe shkohet drejt zgjedhjeve të parakohshme?
Hasimja: Pikërisht, dhe unë mendoj që zgjedhjet e ardhshme në Tiranë nuk janë thjesht administrative, por janë zgjedhje politike. Në Tiranë, më 9 maj 2027, njerëzit kur të dalin të votojnë, kriterin e parë që do të kenë në kokë është që do të votojnë kundër Ramës ose pro Ramës. Kjo është me rëndësi sepse ti nuk mund të paracaktosh kandidatët, pa pasur parasysh për çfarë të duhen këta kandidatë. Ty të duhet një kandidat për të zgjidhur problemet e Tiranës, apo një kandidat që të luftojë Ramën.
Lesi: Si ka mundësi që kjo opozitë ende nuk thotë ”Ky është kandidati jonë zyrtar i të gjithëve kundër Ramës”, sepse ndryshe zgjedhjet në Tiranë do ti fitojë Rama!
Hasimja: Besoj që ka kohë deri nga janari. Dhe kushdo që do të vijë, nuk do të jetë një kandidat i panjohur.
Lesi: Pse nuk e vë emrin tënd në lojë, për sa kohë mundoheni për të bashkuar copat e opozitës?
Hasimja: E kam menduar, por nuk jam i gatshëm që të futem në garë për të qenë i 5-ti ose i 6-ti për ta copëtoj akoma më tepër opozitën. Sepse përbashkimin nuk mund ta marr dhe ta ofroj unë. Janë palët që do të duhet të bien dakort.
