Babai i Ronyt u vra me thikë në Brazil. Ylli i Santosit vuri në dispozicion avionin e tij privat, për t’i mundësuar futbollistit dhe familjes udhëtimin sa më të shpejtë drejt vendlindjes.

Një gjest i veçantë human nga Neymar në një prej momenteve më të vështira për shokun e tij të skuadrës, Rony. Sulmuesi brazilian po përjeton një dhimbje të madhe pas vrasjes së babait të tij, Marigerson Barbosa Carneiro, 72 vjeç, i cili u godit për vdekje me thikë të hënën, më 9 nëntor, në Terra Alta, në shtetin Pará të Brazilit.

Sapo mësoi për tragjedinë, Neymar nuk hezitoi të ndihmonte. Ylli i Santosit i vuri në dispozicion avionin e tij privat Ronyt dhe familjes së tij, duke u mundësuar të udhëtonin sa më shpejt drejt Pará-s për të qenë pranë të afërmve. Rony e bëri publikisht falënderimin përmes rrjeteve sociale, ku shprehu mirënjohjen për gjestin dhe solidaritetin e shokut të skuadrës. Ai falënderoi gjithashtu Santosin, trajnerin Cuca dhe të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë në këto ditë të vështira.

Klubi brazilian reagoi me një mesazh ngushëllimi dhe i dha futbollistit leje të qëndrojë pranë familjes për aq kohë sa të ketë nevojë, pa vendosur një datë për rikthimin e tij në stërvitje. Ndërkohë, autoritetet braziliane vijojnë hetimet për zbardhjen e vrasjes, ndërsa motivi i ngjarjes nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.

Top Channel