Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të Taulant Ballës ndaj eurodeputetit gjerman Michael Gahler, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe skandaloze.
Bardhi shprehet se gjuha e përdorur nga Balla ndaj kreut të Delegacionit të Parlamentit Europian për zgjedhjet në Shqipëri dhe koordinatorit të grupit parlamentar të PPE-së është përçmuese dhe përbën një sulm që duhet dënuar.
Sipas tij, apeli i Gahler nuk duhet trajtuar si një qëndrim individual, pasi përputhet edhe me shqetësimet e shprehura në Rezolutën e Parlamentit Europian të vitit 2025.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së thekson se garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë detyrime themelore demokratike dhe kushte për përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Askush nuk mund ta intimidojë apo ta delegjitimojë zërin e përfaqësuesve europianë që kërkojnë standarde demokratike dhe zgjedhje sipas parimeve dhe vlerave të Bashkimit Europian”, përfundon Bardhi.












