Gjatë vizitës së saj në Portugali, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari, zhvilloi dy takime me zyrtarë të lartë të këtij vendi, ku në qendër të bisedimeve ishte zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë.
Kusari bëri të ditur përmes një postimi në Facebook se takimet u zhvilluan veçmas me Joao Rui Ferreira, Sekretar i Shtetit për Ekonominë, dhe Ana Casaca, drejtuese e Agjencisë Portugeze për Tregti dhe Investime.
Të lidhura
None found
Për shkak të stuhisë që përfshiu Lisbonën, diskutimet u mbajtën online. Palët shqyrtuan mundësitë për vendosjen dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Ministrja shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të Portugalisë ndaj proceseve të integrimit evropian të Kosovës. Në takim u diskutua edhe për forcimin e partneritetit në tregti, investime, zhvillim industrial dhe promovim të eksporteve, si dhe për bashkëpunimin mes agjencive përkatëse dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset e të dyja vendeve.
Një tjetër çështje e ngritur ishte mundësia e arritjes së një marrëveshjeje bilaterale ekonomike, organizimi në Prishtinë i Forumit të Biznesit Kosovë–Portugali dhe vendosja e një linje të drejtpërdrejtë ajrore mes Kosovës dhe Portugalisë, e cila do të lehtësonte lidhjet ndërmjet dy vendeve.
Nesër, takimet do të vijojnë gjatë punimeve të Web Summit, ku pritet të zhvillohen biseda të drejtpërdrejta me synimin për ta zgjeruar edhe në aspektin ekonomik partneritetin politik dhe diplomatik mes Kosovës dhe Portugalisë.






