Në një operacion policor në Bosnjë-Hercegovinë janë arrestuar 15 persona pas shënjestrave për dy grupet e ndërlidhura të krimit të organizuar, të dyshuara për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim parash. Në bazë të urdhrave të Gjykatës Supreme të Federatës ky operacion është zhvilluar në disa kantone të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës (FBiH), si dhe në territorin e Republikës Srpska.     

Sipas autoriteteve, 13 persona u arrestuan në Kantonin Zenica-Doboj, ndërsa dy të tjerë në Kantonin e Sarajevës. Në kuadër të operacionit u kryen kontrolle në 13 lokacione, përfshirë banesa, ambiente biznesi, prona dhe asete të tjera.

Hetimet synojnë dokumentimin e veprimtarisë së dy organizatave kriminale, pjesë e të cilave dyshohet se janë dhjetëra persona. Gjatë hetimeve të mëparshme dhe atyre në vijim, autoritetet kanë sekuestruar rreth 150 kilogramë lëndë narkotike dhe 83 litra vaj prekursor, i dyshuar se përdorej për prodhimin e amfetaminës.

Vetëm gjatë kontrolleve të zhvilluara këtë të mërkurë, u sekuestruan gjithashtu mbi 100 mijë marka boshnjake, me vlerë rreth 51 mijë euro, nëntë automjete, një motoçikletë, armë zjarri dhe pajisje të posaçme që dyshohet se përdoreshin për peshimin e drogës.

Të arrestuarit pritet të dërgohen në ambientet e Administratës Federale të Policisë për procedurat e mëtejshme dhe marrjen në pyetje.