Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka kundërshtuar një vendim të shqyrtuar në Byronë e Kuvendit, përmes të cilit, sipas tij, është miratuar një shpërblim prej 250 milionë lekësh për Arbjan Maznikun.
Në një reagim publik, Këlliçi e lidh këtë shumë me rolin që Mazniku ka pasur në procesin e riorganizimit territorial dhe heqjen nga harta të 15 bashkive. Deputeti demokrat e cilëson vendimin të papranueshëm, ndërsa pretendon se shpërblimi është dhënë për kontributin politik të Maznikut në këtë proces.
Këlliçi thotë se e ka kundërshtuar vendimin gjatë mbledhjes së Byrosë së Kuvendit, ku sipas tij është miratuar me votat e përfaqësuesve të mazhorancës. Ai pretendon se dokumentacioni i paraqitur nuk përmban një argumentim të qartë për shumën e akorduar dhe as shpjegime bindëse për shpërblimin.
Deputeti i PD-së kundërshton edhe reformën territoriale, duke argumentuar se heqja e 15 bashkive do të ketë pasoja për banorët e këtyre zonave dhe do të përshpejtojë shpopullimin. Sipas tij, projekti është motivuar nga interesa elektorale dhe është miratuar pa marrë parasysh vullnetin e qytetarëve, të cilët kanë protestuar kundër tij.
Në reagimin e tij, Këlliçi e krahasoi shpërblimin për Maznikun me atë që, sipas tij, u është dhënë efektivëve të policisë pas përplasjeve me protestuesit, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për përdorimin e fondeve publike në favor të personave që i kanë shërbyer qeverisë.
“250 milionë lekë nuk do të shkojnë as për pensionistët, as për familjet në vështirësi ekonomike, as për studentët që mezi mbyllin muajin, por për shërbëtorin e Edi Ramës për heqjen nga harta të 15 bashkive”, shprehet Këlliçi.
Në përfundim, deputeti demokrat u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë protestat dhe të mos tërhiqen nga kërkesa për largimin e qeverisë Rama.
Në deklaratën e tij, Këlliçi e cilësoi vendimin si një tjetër shembull të privilegjeve për njerëzit pranë pushtetit, ndërsa përsëriti akuzat ndaj qeverisë për mënyrën se si po trajton kundërshtimin qytetar ndaj reformës territoriale.
Reagimi i plotë:
I shërbeu Ramës për të zhdukur 15 bashki, Bashkëkryetari i 5D Arbjan Mazniku, shpërblehet me 250 milionë lekë!!!
Pasi shpërbleu policët që rrahën, dhunuan, plagosën e torturuan të rinjtë e studentët protestues, Edi Rama ka vendosur t’i japë 250 milionë lekë Arbjan Maznikut për kontributin e tij në zhdukjen e 15 bashkive.
Këtë akt e kundërshtova si të papranueshëm e skandaloz në Byronë e Kuvendit të Shqipërisë, ku erdhi sot ky vendim i Edi Ramës. Fshirja e 15 bashkive do të ketë efekt shkatërrues për banorët e atyre zonave dhe do të rrisë edhe më tej shpopullimin. Një projekt politik me llogari elektorale që nuk mori fare parasysh qytetarët dhe injoroi zërin e tyre. Ata u ngritën në protesta dhe kundërshtuan me forcë këtë arbitraritet që u bë pa palqimin e dakordësinë e tyre. Por Rama e kaloi me dhunën e kartonave në parlament.
Kryeministri më i korruptuar në Europë e çon edhe më tej talljen me qytetarët dhe me shqiptarët duke akorduar 250 milionë lekë shpërblim për Maznikun.
Në një dokument ku nuk justifikohet asnjë zë, ku nuk paraqitet asnjë shpjegim bindës, që u miratua sot në Byro nga vota e “rilindasve”, 250 milionë lekë nuk do të shkojnë as për pensionistët, as për familjet në vështirësi ekonomike, as për studentët që mezi mbyllin muajin, por për shërbëtorin e Edi Ramës për heqjen nga harta të 15 bashkive.
Regjimi nuk njeh asnjë kufi në arrogancën ndaj njerëzve dhe në përfitimet e privilegjet për veten e tij.
Qytetarët kanë dhe një arsye më shumë për të qëndruar në protestë e për të mos u tërhequr nga kërkesa për largimin një orë e më parë të kësaj klike hajdutësh të pashembullt në botë!