Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka dalë para mediave në prag të përballjes me Finlandën, ku kuqezinjtë synojnë të reagojnë pas humbjes në Helsinki. Tekniku italian foli për mentalitetin e skuadrës, përgjegjësinë që duhet të marrë grupi, filozofinë e lojës dhe rëndësinë e mbështetjes së tifozëve në “Arenën Kombëtare”.
Maran theksoi se mesazhi i tij është kuptuar nga futbollistët, duke nënvizuar se Shqipëria duhet të hyjë në fushë me objektiva të qarta: të shënojë dhe të mos pësojë gol. Sipas tij, ndeshja e parë ndaj Finlandës u vendos nga episodet, ndërsa skuadra kishte mundësi të shënonte më shumë.
“Çështja e mentalitetit? Kjo është diçka që e kemi kuptuar menjëherë pas ndeshjes me San Marinon. Nuk ka dyshim që mesazhi është marrë edhe nga skuadra. Ndeshja mund të ishte mbyllur më herët me më shumë gola. Skuadra e ndjen përgjegjësinë.
Ne do të futemi në fushë për të shënuar dhe për të mos pësuar gol. Ndeshja me San Marinon e ka vënë në dyshim këtë proces për të cilin po punojmë. Ndeshja me Finlandën tregoi se shënuam shpejt dhe mund të kishim shënuar, por u vendos nga episodet. Skuadra është koshiente për atë që duhet të bëjë. Shpresoj ta transmetojmë nesër”, u shpreh Maran.
Trajneri italian u ndal edhe te karakteri i popullit shqiptar, duke e cilësuar vendosmërinë dhe ndjenjën e përgjegjësisë si dy elemente që dëshiron t’i përcjellë edhe te futbollistët e Kombëtares.
“Ajo që kam vënë re në Shqipëri është dëshira për të qenë të vendosur. Populli shqiptar e ka karakteristikë dhe duhet çuar te skuadra. Po ashtu edhe ndjenja e përgjegjësisë, është ajo që duhet dhe e kemi”, deklaroi ai.
Një tjetër aspekt që Maran po përpiqet të njohë më nga afër është futbolli shqiptar. Tekniku zbuloi se po ndjek edhe lojtarët që aktivizohen në kampionatin vendas, duke e konsideruar këtë një detyrim të trajnerit të një përfaqësueseje.
“Në fakt jam duke tentuar të njoh edhe lojtarët e këtij kampionati. Është detyrë e trajnerit që të kuptojë futbollin e vendit. Mendoj se është ajo që duhet të bëjë trajneri i një Kombëtareje. Kjo është një mënyrë e imja për të respektuar kampionatin”, theksoi Maran.
Në fund, trajneri kuqezi foli edhe për rëndësinë e motivimit dhe të mbështetjes që pritet të vijë nga tifozët në stadium. Për të, më e rëndësishmja është që çdo futbollist të largohet nga fusha me bindjen se ka dhënë maksimumin, pavarësisht rezultatit.
“Mendoj se elementi më kryesor është që lojtarët të jenë të motivuar nga stadiumi. Për secilin nga lojtarët duhet të jetë diçka specifike, pa një brengë ndërgjegjeje, me ndjenjën se dhanë gjithçka në fushë. Rezultatit nuk i dihet, por e rëndësishme është që të japim gjithçka”, përfundoi trajneri i Shqipërisë.
