Profesionistët e rinj të shëndetësisë do të mund t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit menjëherë pas përfundimit të praktikës profesionale, pa qenë më të nevojshme procedurat e ndërmjetme të vlerësimit nga Urdhrat Profesionalë. Ndryshimi vjen përmes një akti të përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Arsimit, i cili synon të lehtësojë procesin e hyrjes në tregun e punës për profesionistët e rinj të shëndetësisë.
Gjatë nënshkrimit të këtij akti, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha se vendimi vjen pas diskutimeve të zhvilluara me grupet e interesit dhe marrjes në konsideratë të kërkesave të vazhdueshme të profesionistëve të rinj të shëndetësisë, përfshirë stomatologët, imazheristët, farmacistët, mamitë dhe kategori të tjera të këtij grupi. Ajo theksoi se, deri më tani, këta profesionistë, përpara se t’i nënshtroheshin Provimit të Shtetit për të marrë licencën dhe për të ushtruar profesionin për të cilin janë shkolluar dhe kanë kryer praktikën profesionale, duhet të kalonin edhe disa provime të ndërmjetme.
Sipas Kumbaros, këto procedura ishin të panevojshme dhe përbënin një ngarkesë shtesë psikologjike, burokratike dhe ekonomike për profesionistët e rinj. “Pas disa diskutimeve me ekipet tona, sot dakordësuam dhe nënshkruam urdhrin për të hequr këto ngarkesa të tepërta, me qëllim lehtësimin e punësimit dhe nxitjen e profesionistëve të rinj drejt tregut të punës, por edhe për t’u hequr një barrë psikologjike. Me derregullimin që ne vendosëm sot ju ftojmë që mbasi të keni mbaruar praktikën të bëheni gati për provimin e radhës për të marrë licencën e ushtrimit të profesionit pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro bëri të ditur gjithashtu se Qendra e Shërbimeve Arsimore, e cila në kuadër të reformimit do të transformohet në Agjencinë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, do të zgjerojë kapacitetet dhe hapësirat për zhvillimin e provimeve. Ajo njoftoi se aktualisht është në proces një investim i rëndësishëm për krijimin e ambienteve të reja, me kushte më të mira, më shumë pozicione testimi dhe teknologji bashkëkohore.
“Përfundimi i këtij projekti gjatë vitit të ardhshëm do të mundësojë shmangien e provimeve me turne, që aktualisht zhvillohen për shkak të kapaciteteve të kufizuara, duke garantuar kushte më dinjitoze dhe komode për kandidatët që i nënshtrohen Provimit të Shtetit”, tha Kumbaro. Vendimi i sotëm, shtoi ajo, synon t’u përgjigjet kërkesave të grupeve të interesit, të përmirësojë praktikat e ndjekura dhe të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e procesit të vlerësimit të profesionistëve.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, falënderoi Ministrinë e Arsimit për bashkëpunimin në realizimin e ndryshimeve rregullatore, duke theksuar se heqja e provimeve të ndërmjetme përbën një kërkesë të kahershme të profesionistëve të rinj të shëndetësisë. “Falë bashkëpunimit mes dy ministrive, është bërë e mundur që profesionistët e rinj, pas përfundimit të praktikës profesionale, të mos i nënshtrohen më një provimi paraprak përpara Provimit të Shtetit. Ndryshimi përfshin farmacistët, infermierët, mamitë, stomatologët dhe profesionistë të tjerë të shëndetësisë, duke synuar përgatitjen e tyre sa më të mirë për tregun e punës”, tha Spahiu.
Ministrja Spahiu u shpreh se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet forcimit të praktikës profesionale, në mënyrë që të rinjtë të fitojnë aftësitë e nevojshme për ushtrimin e profesionit dhe përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve. “Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të gjithë Urdhrat Profesionalë dhe realisht e vlerësojmë maksimalisht kontributin e tyre, si në formimin e profesionistëve dhe brezave të rinj në të gjitha këto profesione, ashtu edhe në hartimin e protokolleve të reja të bashkëpunimit, në mënyrë që praktika profesionale të zhvillohet ashtu siç duhet dhe në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve”, tha Spahiu.
