Mafia shqiptare zgjeron pushtetin në Romë, nga trafiku i drogës te pastrimi i parave në biznese Si e hetuar për krim zgjedhor, deputetja socialiste Sara Mila dha shpjegime para një hetuesi të Byrosë Kombëtare të Hetimit për afro 40 minuta.
E votuar me mbi 18 mijë vota në Elbasan gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025, Mila u pyet nga SPAK në cilësinë e deklarueses.
Vepra penale për të cilën po kryhen hetimet është ajo e korrupsionit në zgjedhje, dhe që bazohet te një fraksion i ndarë, që hedh dyshime mbi zgjerimin e listës për ndihmë ekonomike nga nëntori 2024 deri në prill 2025.
Një skemë e cila ka dyshime se u zbatua në shkëmbim të votës dhe që ngre pikëpyetje mbi veprimet e nëpunësve të shërbimit social, veçanërisht në komunën Gjocaj. Pa avokat në krah, deputetja e PS-së, Mila i shmangu përgjigjet.
“Sa i përket pranisë sime këtu, në organet e drejtësisë nuk vihet vetëm për ato që i keni me shumë qejf të deklaroni, por vihet për një përgjegjësi publike, një përgjegjësi politike. Shumë baltë është hedhur mbi mua nga aparatet e politikës së vjetër. Ky është një moment shumë i mirë për të treguar dinjitetin tim”.
Kjo dosje u çel pasi prokurorja e Elbasanit, Ermira Manelli, gjeti të dhëna dhe shpalli moskompetencën, duke e sjellë çështjen në SPAK.
Aktualisht po pyeten edhe të tjerë, mes tyre edhe nëpunës të shërbimit social dhe qytetarë. Burime pranë SPAK pohuan se, pasi të administrohen të gjitha dëshmitë, do të përpilohet lista e të pandehurve.
Top Channel