Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka pësuar një rënie gjatë dy javëve të fundit, duke u larguar ndjeshëm nga nivelet e larta të regjistruara në fund të tetorit, pasi nafta Brent ka humbur mbi 21% të vlerës së saj. Sipas të dhënave të tregjeve ndërkombëtare, më 30 tetor, nafta Brent tregtohej në nivelin 117.64 dollarë për fuçi. Gjatë tregtimit të së mërkurës, Brent u ngjit përkohësisht në rreth 92.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate tregtohet me 86.7 dollarë. Krahasuar me nivelin e fundit të tetorit, rënia e Brent-it arrin në rreth 25 dollarë për fuçi. Rënia ka ardhur kryesisht si pasojë e pritshmërive për uljen e tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të cilat kanë ndikuar fuqishëm tregjet energjetike për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme. Ndërkohë deklaratat e administratës amerikane për shmangien e operacioneve të reja ushtarake në Iran kanë ulur përkohësisht shqetësimet e investitorëve për një ndërprerje më të madhe të furnizimit global me naftë.