Studentë të arkitekturës po marrin pjesë në një kamp restaurimi në Gjirokastër, me qëllim dokumentimin dhe evidentimin e dëmtimeve në banesat historike që rrezikojnë shembjen. Aktiviteti fokuson rilevime dhe analiza të gjendjes strukturore për të identifikuar ndërhyrjet e nevojshme dhe përgatitur zgjidhje teknike për ruajtjen e objekteve të vjetra.
Në fazën e parë të nismës janë përzgjedhur 10 banesa karakteristike të qytetit, ku po kryhen punime në terren për vlerësimin e dëmtimeve, regjistrimin e faktorëve të degradasionit dhe evidentimin e elementeve që kërcënojnë stabilitetin e tyre. Ndër shembujt e punës në terren është edhe një banesë rreth 200-vjeçare në lagjen Meçite, ku studentët dokumentojnë shtresat ndërtimore dhe problemet strukturore për të përcaktuar ndërhyrjet e duhura për ruajtjen e saj.
Profesor Nikolla Vesho shpjegon se pas punës praktike në terren, studentët do të përgatisin projekte të detajuara për përforcimin struktural, restaurimin dhe rijetëzimin e banesave. Këto projekte synojnë të ofrojnë planifikim teknik që mund të shërbejë si bazë për ndërhyrje restauruese dhe rikthim funksional të objekteve historike.
Pjesëmarrësit në kamp vlerësojnë eksperiencën si një mundësi për të kthyer njohuritë akademike në praktikë dhe për të kontribuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Për studentet Orgita Aliaj dhe Iliada Kuçaj, pjesëmarrja u jep mundësinë të aplikojnë metodat e mësuara në universitet në problematika reale restaurimi dhe konservimi.
Kampi zhvillohet në një periudhë kur shumë banesa historike në Gjirokastër përballen me degradim të vazhdueshëm. Shkaqet e përmendura për këtë degradim janë mungesa e investimeve, vështirësitë në sigurimin e fondeve dhe problemet që lindin nga pronësia e shpërndarë në shumë trashëgimtarë, të cilat pengojnë ndërhyrjet e menjëhershme restauruese. Top Channel
