Rinia kuqezi premton shumë, Shqipëria U-19 shënon katër gola në debutimin europian Konferenca për shtyp e Kombëtares shqiptare nis me mbrojtësin Ardian Ismajli, i cili del para mediave së bashku me trajnerin Rolando Maran, në prag të përballjes me Finlandën.
Pas humbjes në Helsinki, kuqezinjtë kërkojnë reagimin përpara tifozëve të tyre në “Arenën Kombëtare”. Ismajli pritet të flasë për gjendjen e skuadrës, atmosferën në grup, mësimet e nxjerra nga ndeshja e parë dhe rëndësinë e marrjes së një rezultati pozitiv në këtë sfidë.
Ndeshje: “Jemi përgatitur shumë mirë dhe e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Normalisht, kemi si qëllim dhe detyrim vendin e parë. Jemi një skuadër me më shumë cilësi se të gjitha ekipet e tjera të grupit tonë, por këtë duhet ta tregojmë në fushë. Në ndeshjen e parë kemi luajtur shumë mirë, por episodet bëjnë të tyren dhe kështu ajo ndeshje shkoi siç shkoi.”
Gabimet:“Keni të drejtë. Në ndeshjen e parë pësuam dy gola nga dy goditje standarde. Ndonjëherë fati të kthen shpinën, pasi ne patëm rastet tona, por nuk arritëm t’i shfrytëzonim. Duke pasur parasysh se kundërshtarët kanë goditës shumë të mirë, duhet të shmangim faullet në afërsi të zonës sonë.”
Tifozët: “Nuk mund të them se djemtë kanë stres apo panik kur luajnë përpara tifozëve tanë. Ata janë lojtari i 12-të për ne dhe mund të themi se këtu kemi arritur gjithmonë rezultate shumë të mira. Edhe në ndeshjen ndaj San Marinos na mbështetën shumë dhe ne arritëm të fitonim. Ndonjëherë rëndësi ka fitorja, jo mënyra se si luan, dhe në atë ndeshje mbështetja e tifozëve na ndihmoi shumë.”
Sylvinho-Maran: “Unë besoj se mbrojtja më e mirë është sulmi. Sylvinho ka praktikuar një futboll shumë mbrojtës dhe statik, por ky futboll nuk ekziston më. Futbolli modern është ai që po aplikon sot Maran, pasi duhet t’i bësh presion kundërshtarit për ta detyruar të gabojë. Ne kemi lojtarë që janë të aftë të luajnë një kundër një dhe kemi mundësitë për ta bërë këtë. Nëse qëndrojmë shumë prapa, gjithçka bëhet më e vështirë.”
Top Channel