Seanca plenare e 26 nëntorit pritet të shoqërohet me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës. Krahas miratimit në tërësi të buxhetit dhe paketës fiskale, në rendin e ditës pritet të jetë edhe akti normativ i qeverisë që parashikon masa ndëshkuese për protestuesit e dhunshëm, të maskuar apo që nuk u binden urdhrave të autoriteteve.
Ky akt ka shkaktuar kundërshtime nga opozita, e cila e konsideron atë antikushtetues dhe kërkon që të mos përfshihet në kalendarin parlamentar. Deri të martën akti normativ është zbatuar në 186 raste nga forcat e rendit. Në një rast është vendosur gjobë prej 500 mijë lekësh të reja, ndërsa në rastet e tjera masa ndëshkuese ka qenë 5 mijë lekë të reja.
Përplasjet politike u reflektuan edhe në Konferencën e Kryetarëve, ku palët nuk arritën marrëveshje për kalendarin dhe programin e punës së Kuvendit. Opozita akuzon mazhorancën se po i pengon ushtrimin e kontrollit parlamentar. Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje mbetet reforma zgjedhore. Socialistët i kanë kërkuar opozitës të rikthehet në punimet e komisionit të posaçëm, duke paralajmëruar se në të kundërt do të vijojnë me vendimmarrje të njëanshme.
Përfaqësuesit demokratë kanë mohuar bojkotin e komisionit, ndërsa kanë kundërshtuar qëndrimin e mazhorancës. Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore i përfundon mandati më 30 nëntor, ndërsa Partia Socialiste nuk është e gatshme të pranojë një tjetër shtyrje të afatit.
