Një fotografi që tregon një dhomë të mbushur me miliona euro, e realizuar në një banesë në Peqin, është publikuar nga gazetari Blendi Fevziu. Sipas tij, në foto dokumentohen 12 milionë euro të ardhura nga trafiku i drogës, ndërsa personi që shfaqet në pamje ka qëndruar më shumë se 24 orë duke numëruar paratë.
Fotografia është pjesë e dosjes hetimore për grupet kriminale Çopja dhe Çela, të cilat kanë vepruar me bazë në Elbasan dhe dyshohet se kanë trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt porteve evropiane.
“ Në një dhomë është bërë kjo foto në një shtëpi në Shqipërinë e mesme. Në fund të numërimit i kanë rezultuar 12 milionë euro. 12 milionë euro kanë dalë nga trafiku i drogës. Janë materiale që trafikantët i kanë përdorur. Janë foto që i takojnë çështjes që lidhen me grupet Çopja-Çela”, tha Fevziu.
Gazetari Eni Ferhati sqaroi se paratë ndodheshin në Peqin dhe se, sipas dosjes, organizatat kriminale ua dorëzonin korrierëve shumat e parave në çanta ose valixhe, në Elbasan dhe Peqin. Ai theksoi se bëhet fjalë për fotografi që trafikantët ia dërgonin njëri-tjetrit dhe jo për para të sekuestruara nga autoritetet.
Gazetarja Klodiana Lala tha se fotografitë dhe komunikimet janë nxjerrë nga aplikacioni i koduar SKY ECC. Sipas saj, në bisedat e zbardhura trafikantët shprehnin shqetësimin se u prisheshin makineritë e numërimit për shkak të sasive të mëdha të parave.
Lala përmendi gjithashtu rolin e Ervis Çelës dhe Franc Çopjas në aktivitetin kriminal, duke theksuar se në dosje përshkruhen edhe mënyrat e fshehjes së parave, përfshirë vendosjen e tyre në rrënjët e ullinjve. Sipas gazetares, SPAK ka ndërhyrë duke shkulur ullinj për të kërkuar para të fshehura.
Ajo shtoi se pasuritë e evidentuara në emër të familjes Çela janë të papërfillshme në raport me përmasat e aktivitetit kriminal që dyshohet se ushtronin.m.k





